Falje për të gjithë amerikanët e dënuar për zotërim të marijuanës nën ligjet federale: njoftimi i presidentit amerikan Joe Biden praktikisht realizoi ëndrrën e hershme të mbështetësve të kësaj ideje, dhe kjo, një muaj përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA.

Me një mesazh të regjistruar filmic, Biden njoftoi përmes një urdhëri ekzekutiv, faljen e të gjitha shkeljeve të mëparshme të kësaj natyre. Nga një lëvizje e tillë, mund të përfitojnë mbi 6.500 amerikanë.

“Siç e thashë edhe kur kandidova për president, askush nuk duhet të jetë në burg vetëm për përdorim apo për posedim të marihuanës. Në shumë shtete, ajo është e ligjshme dhe të dhënat penale për posedim marihuane kanë krijuar pengesa të panevojshme për punësimin, strehimin dhe mundësitë për arsimim. pa llogaritur pastaj pabarazinë racore se kush i vuan pasojat. Megjithëse të bardhët, afrikano-amerikanët dhe të tjerë me ngjyrë e përdorin marihuanën në nivele të ngjashme, afrikano-amerikanët dhe personat me ngjyrë arrestohen, hetohen dhe dënohen në nivele disproporcionale.”- tha Biden.

Marihuana është aktualisht e ligjshme për përdorim mjekësor në 37 shtete amerikane dhe e disponueshme për përdorim vetjak në 19 shtete, në kryeqytetin Washington dhe në Guam.

Duke qenë se shumica e dënimeve për kanabisin merren në nivel shtetesh, Bideni iu drejtua guvernatorëve me thirrjet të japin falje për raste të tilla, ndërsa udhëzoi dhe një rishikim të mënyrës se si marihuana trajtohet në legjislacionin federal.

Aktualisht, kjo substancë klasifikohet nga DEA, apo Administrata Ligjzbatuese për Drogat, si një drogë e kategorisë I, ku përfshihen lëndët narkotike që nuk kanë përdorim mjekësor dhe me potencial të lartë për abuzim, cka e vendos kështu në të njëjtin nivel me heroinën dhe LSD-në.

Top Channel