Mblidhet bordi i ERE/ Tabaku: Mos lejoni të nëpërkëmben kompetencat tuaja, nuk justifikohet rritja e çmimit të energjisë

07/10/2022 14:20

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, e pranishme ditën e sotme në mbledhjen e bordit të ERE, është shprehur se nuk ka asnjë tregues që vërteton konsum më të madh të energjisë ditore.

Ajo u shpreh se të dhënat që ka sjellë qeveria nuk e justifikojnë rritjen e çmimit dhe sipas Tabakut është një shembull mjaft i keq veprimi i ministres, e cila nëpërkëmb rezultatet e bordit.

Tabaku: Unë kam qenë në komunikim me ju që në momentin e parë që u bënë deklarata se ka ndryshuar konsumi i energjisë, edhe pse nuk ka ndonjë tregues që tregojnë konsumin me bazë ditore. Argumentat ekonomikë nga pikëpamja e efiçencës që unë dhashë besoj se qëndrojnë edhe sot. Unë kam qenë në komunikim me ju dhe me përfaqësues të bordit të ERE-s, dhe ju kam kërkuar revokimin e vendimit. Nuk ka asnjë argument ekonomik që të justifikojë rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Nuk ka asnjë argument, nga ana e qeverisë për rritjen e këtij çmimi e më pas tërheqjen. Unë u ndjeva keq kur ministrja doli dhe i nëpërkëmbi rezultatet e këtij bordi. Qeveria shqiptare ju propozon ndërsa juve miratoni. Rritja e çmimit të energjisë e të dhënat që ka sjellë qeveria nuk e justifikon rritjen e çmimit. Ju jeni përgjegjës ndaj parlamentit të Shqipërisë, Ju drejtohem të gjithë anëtarëve të bordit, nuk mundet qeveria të uzurpojë kompetencat e këtij bordi.

Më herët ERE kishte parashikuar që duke filluar nga 1 tetori, në kushtet ku një familje shpenzonte më shumë se fasha 800kwh në muaj, një kilovat do të llogaritej me 42.85 lekë në vend të 11 lekë/ kilovat që është aktualisht.Teksa ERE kishte marrë vendimin që më 1 tetor të ndryshonte fasha e energjisë, kryeministri Edi Rama është tërhequr.

Me këtë rritje çmimi mbi fashën, OSHEE synon që të mbledhë 1.8 miliardë lekë apo 15.5 milion euro, të cilat do të përdoren për blerjen e energjisë në import gjatë tre muajve të mbetura. 40-70 mijë familje pritej të kishin një dimër më të kushtueshëm këtë vit sesa të tjerët.

Top Channel