Rrumbullaku takon ambasadorin turk: Bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar, krimeve kibernetike e terrorizmit

06/10/2022 14:00

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u takua me ambasadorin e Turqisë në vendin tonë, Tayyar Kagan Atay.

Në fokus të takimit ishin vlerësimi i bashkëpunimit të deritanishëm, si dhe zgjerimi e forcimi i bashkëpunimit në të ardhmen, ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj turke, në fusha me interes të përbashkët dhe veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, krimeve kibernetike dhe terrorizmit.

Drejtori i Përgjithshëm e ka falënderuar ambasadorin për vizitën dhe e ka njohur atë me prioritetet që Drejtori ka për të reformuar Policinë e Shtetit, me qëllim vendosjen e standardeve të reja, ndryshimin e metodologjisë së punës, krijimin e një qasjeje të re në raport me qytetarët dhe ndjekjen e problematikave dhe shqetësimeve të tyre.

Ambasadori Atay uroi Drejtorin e Përgjithshëm për detyrën dhe i dorëzoi një letër urimi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Turqisë.

Së fundi, në vendin tonë janë arrestuar disa shtetas që janë shpallur në këkrim nga Turiqa, mes të cilëve dhe ish-kreu i Thodex, turku Faruk Fatih Ozer. Ozer që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet turke, u arrestua për llogari të drejtësisë së shtetit të tij, ku është vënë nën akuzë për “krijim dhe drejtim të një organizate kriminale”, “mashtrim duke përdorur sistemet e informacionit, bankat ose institucionet e kreditit” dhe “mashtrim dhe pastrim të vlerave pasurore që rrjedhin nga krimi”.

Top Channel