Ministrja e Arsimit, Evis Kushi reagoi në lidhje me pagën e mësuesve, ku ripërsëriti të njëjtin vendim të caktuar para pak ditësh.

Kushi u shpreh se pagat do të rriten me 15%, ku 7% do të paguhet nga buxheti i qeverisë, ndërsa pjesa tjetër nga universitetet përkatëse.

Ajo theksoi se në bazë të projekteve kërkim-zhvillim në rritje, përfitimet kanë qenë më të larta.

Në bazë të këtyre përfitimeve, ministria iu përgjigj Grida Dumës duke thënë se pedagogët nuk kanë arsye pse të emigrojnë.

“Çështjen e pedagogëve e kërkesat e tyre i kemi në vëmendje prej kohësh. Edhe në takime me pedagogë e përfaqësuesit e sindikatave i kemi sqaruar me ta. Pikërisht falë këtij dialogu duke e integruar pagat do të rriten me 15 përqind dhe 7 përqind do të mbulohen nga shteti. Pastaj universitet në varësi të të ardhurave që grumbullojnë mund tia rrisin 7, 8 deri në 15 përqind.

Pedagogëve do t’u rriten pagat, por jo vetëm të financuara nga buxheti shtetit, pasi edhe universitet kanë buxhetin e tyre. Angazhimi i madh në kërkimet shkencore kanë rritur fitimet. Është shumëfishuar numri i pedagogëve që aplikojnë në këto projekte. Universitetet i kanë të gjithë mundësitë për t’i rritur pagat dhe se t’i gjejnë mundësitë për të rritur pagat.

Ka raste që pedagogët të ardhurat që marrin përtej pagës, janë shumë herë më të mëdha se paga. Universitetet dhe pedagogët i kanë të gjitha mundësitë që t’i rrisin të ardhurat dhe të mos varen vetëm nga paga mujore.

Pedagogët sot më shumë se kurrë kanë arsye të mos emigrojnë, falë ndërkombëtarizmit të universiteteve.

Në të gjitha universitetet është rritur numri i programeve të përbashkëta dhe të dyfishta, që në fund i jep vlerë diplomës jo vetëm cilësisë së arsimit. Në të njëjtën mënyrë mund të përfitojnë edhe pedagogët. Ky ishte viti i parë që qeveria shqiptare dha buxhet vetëm për ndërkombëtarizimin. Dhe janë pedagogët që përfitojnë nëpërmjet shkëmbimeve të projekteve, të mësimdhënies.

Mbështetja jonë për universitetet dhe pedagogët padyshim do të vazhdojë, jo vetëm në drejtim të pagave por edhe në mbështetje kërkimin shkencor, edhe duke rishikuar shpërndarjen e ngarkesës mësimore të pedagogut. Për procedurën e pagesës së orëve suplementare. Të mos harrojmë pedagogët paguhen edhe për irët suplementare.

Pedagogët sot, ata që punojnë natyrisht kanë mundësi që të kenë paga më të larta se paga nëpërmjet buxhetit të shtetit me grantin e pakushtëzuar”, u shpreh Kushi.

Top Channel