Putin nënshkruan ligjet për aneksimin e 4 rajoneve të Ukrainës

05/10/2022 12:11

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar edhe zyrtarisht dokumentet për aneksim të katër rajoneve ukrainase, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.

Donjetsk, Luhansku, Khersoni dhe Zaporizhja janë rajone që kontrollohen pjesërisht nga forcat ruse, prej shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë në fund të muajit shkurt.Formalitetet pasuan “referendumet” e orkestruara nga Kremlini që Ukraina dhe Perëndimi i kanë hedhur poshtë si mashtrim.

Masa vjen pasi lufta e Moskës në Ukrainë ka hyrë në një fazë të re, më të rrezikshme. Rusia përballet me pengesa në rritje në fushën e betejës, me forcat ukrainase që rimarrin gjithnjë e më shumë toka në lindje dhe në jug – pikërisht rajonet që Moska i ka shtyrë t’i aneksojë.Kufijtë e territoreve që Rusia pretendon mbeten ende të paqartë, por Kremlini është zotuar të mbrojë territorin e Rusisë – rajonet e sapopërthitura gjithashtu – me çdo mjet në dispozicion, përfshirë armët bërthamore.

Për momentin, analistët sugjerojnë se rreziku që Presidenti Putin të vërë në përdorim arsenalin më të madh bërthamor të botës duket të jetë i ulët. CIA thotë se nuk ka vënë re shenja të një përgatitje për sulm të afërt bërthamor nga Rusia. Analistët shpresojnë që tabuja për përdorimin e armëve bërthamore do të shërbejë si një dekurajim. Përmasat e tmerrshme të vuajtjeve njerëzore në Hiroshima dhe Nagasaki, , janë një argument i fuqishëm kundër përsëritjes së përdorimit të armëve të tilla.

“Thyerja e tabusë bërthamore, do të vendoste minimalisht një izolim të plotë diplomatik dhe ekonomik ndaj Rusisë”, thotë Sidharth Kaushal, studiues në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër.Armët bërthamore me rreze të gjatë, që Rusia do të përdorte në rast të një konflikti të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara, janë në gjendje të gatshme luftarake. Por nuk janë në gatishmëri rezervat e saj të mbushjeve bërthamore për rreze më të shkurtër, të ashtuquajturat armë taktike, që Presidenti Putin mund të përdorte në Ukrainë.

“Të gjitha mbushjet gjenden në magazina”, thotë Pavel Podvig, studiues që specializohet për armët bërthamore në një organizatë të OKB-së në Gjenevë.“Ato duhen nxjerrë nga bunkerët, duhen ngarkuar në kamionë dhe pastaj duhen montuar nëpër raketa apo sistemet e tjera të lëshimi”, thotë ai.

Rusia nuk ka publikuar një inventar të plotë të armëve të saj bërthamore dhe kapaciteteve të tyre. Presidenti Putin mund të jetë duke shpresuar se thjesht kërcënimet mund ngadalësojnë furnizimin me armë nga Perëndimi për Ukrainën. Por, nëse Ukraina vazhdon të rimarrë territoret e pushtuara dhe Presidenti rus Putin konstaton se nuk mundet të mbahen më territoret e pushtuara, analistët i frikësohen rrezikut në rritje, se ai mund të vendosë se nuk ka më opsione jo-bërthamore.

Top Channel