Protestë në Durrës, banorët e prekur nga tërmeti: Prej 2 vite e gjysmë s’kemi asnjë lloj zgjidhjeje

05/10/2022 11:48

Zhvendosja e të dëmtuarve nga tërmeti nga zonat e tyre të vendbanimit në lagjet periferike të Durrësit, ku po ndërtohen objekte të reja, ka alarmuar banorë të disa pallateve të qytetit bregdetar që janë planifikuar për shembje.

Në fund të shtatorit, banorët janë njoftuar nga bashkia se pallatet e tyre të dëmtuara nga tërmeti nuk do të ndërtohen aty ku ndodhen. Banorët më të moshuar shprehen se po i internojnë për të vënë në ripërdorim tokën ku ngrihen pallatet e tyre.

“Kryeministri nxori vendim që pallatet do të bëhen aty ku janë, po një ditë kryetarja e bashkisë na thotë që nuk do rrini aty por do të shkoni në kënetë. Për ne është një internim.”

“E dua shtëpinë aty ku është. Jemi dy pleq e u katandisëm nëpër spitale. U bëmë për psikiatër, me zemër e tension. Jeta na duket pa perspektivë dhe sikur kjo s’do përfundojë asnjëherë. I bëjmë thirrje gjykatës dhe prokurorisë ta zgjidhë njëherë e më parë çështjen tonë që nuk do e lejmë këtu.”

“Na u dha vendimi për 5 ditë të lirojmë banesat dhe prej 2,5 vjetësh nuk kemi asnjë lloj zgjidhjeje. Pallati ku banoja unë nuk është prishur akoma.”

“Nuk do të lëvizim nga ky shesh. Sot jemi përfaqësues të disa pallateve, nesër do të jemi më të shumtë. Kërkojmë një zgjidhje nga bashkia.”

Të shqetësuar për këtë ndryshim të papritur në fatin e strehimit të tyre, banorët thonë se do e përshkallëzojnë protestën e tyre.

Top Channel