“I dua të vdekur”, vëllezërit Beqiraj: Punonjësi i burgut na dha 3500 €‎ paradhënie. Bejko: Nuk kam porositur vrasje, paratë ua dhashë borxh

05/10/2022 11:33
Indrit Beqiraj dhe Gentian Beqiraj

Nga dëshmia e vëllezërve Beqiraj të arrestuar dy ditë ë parë në Durrës, është zbërthyer edhe një tjetër attentat, që ishte planifikuar të kryhej ditët e ardhshme.

Gazetarja Dorjana Bezat ka bërë me dije për Top Channel se po planifikohej vrasja e dy personave, njëri i liruar pak kohë më parë nga burgu, ku vuajti dënimin për trafik të 100 kilogramëve kanabis. Sipas dëshmisë së tyre , vrasjen e tyre e kishte kërkuar punonjësi i burgjeve Flamur Bejko duke u dhënë 3500 euro paradhënie.

Vëllezërit Beqiraj tregojnë se Bejko, u ka thënë se i do të dy personat e vdekur pasi kanë pasur një konflikt në një lokal dhe ata kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij, e për këtë arsye nuk ua falte. Vëllezërit treguan se vrasja e tyre ishte parashikuar të bëhej me eksploziv.

Polici i burgjeve, i marrë në pyetje, ka mohuar t’i ketë dhënë porosi për vrasje dhe ka treguar se paratë ua ka dhënë në formë borxhi.

Si ndodhi arrestimi i vëllezërve Beqiraj?

Vëllezërit Beqiraj u përplasën me njerëz Aleksandër Lahos të njohur si Rrumi i Shijakut pasi këta të fundit dyshonin se vëllezërit po i gjurmonin për të krijuar kushte për vrasjen e të fortit të Shijakut. Dyshohet se gjatë të dielës ata i zunë në befasi dhe pasi i përplasën me makine morën peng për disa minuta Indrit Beqirajn.

Pengmarrja disa minutëshe e Indrit Beqirajt në Durrës gjatë të dielës pas një aksidenti automobilistik ishte çelësi që i erdhi në dorë policisë për të zbërthyer rrjetin e vrasësve me pagesë që vepronin si grup i strukturuar kriminal që prej vitit 2021.

Kush janë të arrestuarit e operacionit ‘Porositësi’?

Gentjan Beqiraj
Indrit Beqiraj
Flamur Bejko
Pellumb Hoxha
Idajet Hoxha
Armand Dalipi (Daka)
Fatjon Myrta
Blerim Elezi
Gentian Sheshi
Kujtim Deliallisi
Albano Hajdari
Fatjon Hajdari
Armando Lama
Altin Celami

Top Channel