U ekzekutua Erjon Çela dhe u plagosën katër të tjerë, zbardhet vrasja në “Don Bosko”! Kush ishte porositësi

04/10/2022 14:15

Vrasja e Erjon Çelës në “Don Bosko” dhe plagosja e katër të tjerëve është zbardhur nga prokuroria.

Zbardhja e ngjarjes erdhi pas dëshmisë në polici të vëllezërve Indrit dhe Gentian Beqiraj, të cilët u sulmuan para dy ditësh në autostradën Durrës-Tiranë.

Ata kanë rrëfyer se janë porositur për të vrarë Geron Hasanbelliun dhe nipërit e tij në Tiranë, por  ngatërruan objektiv dhe përfundoi i vdekur Erjon Çela.

Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi K. Z., i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, për t’u larguar jashtë shtetit.

Shtetasit G. B. dhe I. B., në periudha të ndryshme kohore, janë kontaktuar nga shtetasit K. Z. alias K. S. dhe I. F., për llogari të shtetasit K. N., kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, për të kryer vrasjen e një shtetasi dhe të nipërve të tij, në qytetin e Tiranës, si dhe për vrasjen e shtetasit A. M., në qytetin e Durrësit.

Për realizimin e kësaj veprimtarie, 2 vëllezërit janë paguar paraprakisht me një shumë prej 6000 eurosh. Fillimisht ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes, si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit.

Në lidhje me objektivin e parë për të cilin ishte marrë porosia, për një shtetas dhe nipërit e tij, ishte planifikuar që vrasja të behej në zonën e Don Boskos, pasi ky shtetas frekuentonte një lokal të caktuar në këtë zonë. Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, shtetasit G. B. dhe I. B. nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje.

Vrasja e këtij shtetasi nuk u krye për shkak të ngatërrimit të objektivit dhe për pasojë, më datë 04.01.2022 u vra shtetasi A. Ç. alias E. Ç. dhe u plagosën 4 shtetas të tjerë. Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi K. Z., i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, për t’u larguar jashtë shtetit.

Në lidhje me planifikimin dhe marrjen e porosisë për vrasjen e shtetasit A. M., nga hetimet e thelluara rezultoi se 2 vëllezërit kishin siguruar kushtet për kryerjen e vrasjes së tij. Dy vëllezërit ishin porositur nga shtetasi K. Z. dhe kjo vrasje ka ndodhur pak kohë më vonë, por ende nuk është zbardhur plotësisht se nga kush është kryer kjo vrasje.

Nga hetimet e thelluara rezulton se prosositësi i dy vrasjeve të mësipërme është shtetasi K. N., i cili aktualisht është i arrestuar në Belgjikë. Ky shtetas ka porositur shtetasin K. Z., i cili ka paguar dy vëllezërit, për krijimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve”, sipas policisë.

Saga e vrasjeve në vendin tonë për vitin 2022 nisi më 4 janar, me vrasjen në  Tiranë të Erjon Çelës.

35-vjeçari ishte ulur në tavolinë me 4 persona të tjerë mes tyre dajën, të vëllanë, kamarierin dhe një person tjetër kur persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tyre.

Dyshohet se ishin dy qitës dhe se janë derdhur mbi 20 plumba kallashnikovi drejt lokalit.

Makina e autorëve më pas ka marrë kthesën dhe janë larguar në drejtim të  Traumës për të dalë jashtë Tiranës.

Të plagosurit ishin Blerim Çela 28 vjeç, vëllai i viktimës, i cili u lëndua në në fytyrë dhe këmbë; Edmond Crroj 41-vjeç, daja i viktimës, i plagosur në bark e këmbë; Azbi Selimaj 19 vjeç kamarieri i lokalit, i dëmtuar në shpatull dhe Arben Dani 46 vjeç, i dëmtuar në këmbë.

Top Channel