Ka nisur raundi 2 I regjistrimeve në 39 universitetet publike dhe private të vendit. Gati 21 mijë maturantë do të nisin vitin e ri akademik në mes të Tetorit.

Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike në Tiranë, që prodhon ndër të tjera Infermierë, të kërkuar si jashtë edhe brenda vendit, ka përmbushur 97% të kuotave që në raundit e parë. Pak vende kanë mbetur për raundin e radhës.

“Ne si fakultet formojmë 6 grupe profesionistësh të shëndetësisë: Infermierët, Mamitë, Fizioterapeutët, Logopedët, Teknikët e Laboratorit dhe Teknikët e Imazherisë. Në total për këtë vit akademik janë rreth 900 kuota për të 6 programet. Nga të cilat, sot që jemi në fillim të raundit të dytë të regjistrimeve, raund i cili ka 5 faza 48 orëshe, kemi të plotësuar mbi 97% të kuotave të miratuara. Kemi pak vende bosh. Këtë vit kërkesat e mëdha të tregut të punës na bënë që në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Arsimit të kërkojmë dhe të miratojmë një rritje të kuotave të studimit. Specifikisht në Infermieri kemi shtuar 100 kuota studimi. Mjafton t’iu them se për 400 kuota studimi Infermieri e Përgjithshme, ne kemi patur këtë vit 4000 aplikantë, pra 10 kërkesa për 1 vend studimi në Infermieri.”- tha Ilirjana Zekja, Dekane, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike

Vendi ynë po përjeton eksodin e profesionistëve, veçanërisht infermierëve. Ata janë shumë të kërkuar jashtë vendit, më së shumti në Gjermani. Vetëm vitin e shkuar u larguan nga vendi gati 1100 infermierë.

Ikin një numër I konsiderueshëm, por edhe këtu në vend kemi një numër të madh infermierësh. Çdo ditë e më tepër edhe këtu punësohen nëpër institucionet ku punojmë apo institucionet më të cilat kemi marrëdhënie bashkëpunimi. Përditë e më shumë shohim infermierë të rinj që punësohen.“- tha Ilirjana Zekja, Dekane, Fakulteti I Shkencave Teknike Mjekësore

Top Channel