Përtej justifikimeve për domosdoshmërinë e parkingut, raporti i përgjithshëm Teknik i hartuar nga Bashkia Berat, nxjerr zbuluar skandalin e abuzimeve në këtë shesh.

Në dokument thuhet qartë se “sheshi ka pësuar degradime të shumta dhe te ndryshme përgjatë viteve, për shkak të cilësisë së dobët të punimeve”, ndërkohë që sheshi ishte me garanci 10 vite.

Raporti Teknik evidenton se “sheshi gjate ditës nuk është i frekuentuar, për shkak të nxehtësisë që ai emeton në mjedis, mungesës së gjelbërimit dhe mobilimit urban”. Ekspertët e konsiderojnë ndërhyrjen në shesh të pamenduar dhe e kundërshtuan që kur sheshi u bë për herë të parë. Sipas tyre, për shkak të pllakës së përdorur temperature u rrit me rreth 10 gradë, pasi nuk u përdor guri i duhur, ndërkohë që sipas tyre guri i beratit po shitet në Francë.

“Nuk u përdor guri i duhur, por një lloj guri që e reflekton më shumë nxehtësinë. Guri i Beratit aktualisht po tregtohet jashtë, në Francë” Në pedonale pasdite kishte një lloj nxehtësie që të zinte frymën, Tregtarët në atë zonë thonë se po ta xjerrësh peshkun jashtë, piqet” u shpreh inxhinieri, Xhevahir Ngjeçari.

Skeptikë edhe për projektin e ri, ata e konsiderojnë abuzim të pastër. Ata parashikojnë se terreni ku po ndërtohet parkingu, do të jetë pre e përmbytjeve të rrezikshme.

“Jam shumë i sigurt se shumë shpejt do të shohim se ky është një investim i kotë, pasi ai do të përmbytet nga ujërat e shirave, por do të ishte fat nëse nuk ka viktima. Është e pamundur të mbash të gjitha ujërat që vijnë nga kodra lart, nga kalaja” u shpreh inxhinieri, Xhevahir Ngjeçari.

Duke iu referuar përmbytjes së Beratit më 1962 kur Osumi derdhi në Berat 1090 m3 ujë në sekondë, ekspertët shpjegojnë se nuk ka investim të mirë në Berat nëse nuk sistemohet Osumi, i cili aktualisht e përmbyt qytetin edhe me 250m3 ujë në sekondë.

‘Nuk ka zgjidhje për Beratin nëse nuk sistemohet Osumi. Aktualisht Berati është i përmbytur” u shpreh inxhinieri, Xhevahir Ngjeçari.

Por Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili është edhe institucioni që ka dhënë paratë, mohon që sheshi po bëhet nga fillimi.

Në një përgjigje zyrtare për Top Story FSHZH sqaron se “ Kjo ndërhyrje nuk ka të bëjë me ribërje të sheshit. Materialet ekzistuese të sheshit, përfshirë pllakat dhe mobilimin urban, janë hequr dhe janë grumbulluar në magazinat e bashkisë, dhe me përfundimin e parkingut do të rivendosen duke e kthyer sheshin në gjendjen fillestare”. Ekspertët e konsiderojnë qesharak pretendimin e FSHZH se pllakat e gurit po ruhen.

“Vetëm nga shkulja e pllakave 30% e tyre së paku do dëmtohen. Është qesharake” u shpreh inxhinieri, Xhevahir Ngjeçari.

Top Channel