Foto ilustruese

Një pengmarrje dyshohet se ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Durrës-Tiranë, ku disa persona janë konfliktuar pas një aksidenti.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se Indrit Beqiraj teksa lëvizte më një motomjet tip “Piaggio së bashku me të vëllanë Gentian Beqirajn, është përplasur me një makinë në të cilën ndodheshin dy persona.

Pas aksidentit Beqiraj dhe dy personat e tjerë janë konfliktuar deri në përdorimin e dhunës fizike, ku më pas Beqiraj është marrë me dhunë në mjet e pas disa metrash është lënë I lirë.

Menjëherë pas ngjarjes, Beqiraj ka raportuar situatën në polici. Uniformat blu po punojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin dhe kapjen e dy personave të tjerë.

Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës

Në autostradën Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur “Koxhas”, shtetasit G. B. dhe I. B. (vëllezër), duke udhëtuar me motor, dyshohet se janë përfshirë në një incident rrugor, pasi një automjet ka goditur motorin e tyre, i cili për pasojë ka dalë nga rruga. Për këtë shkak, dy vëllezërit janë konfliktuar fizikisht me personat që ishin në automjet.

Në konflikt e sipër, personat që ishin në automjet kanë marrë njërin prej vëllezërve, shtetasin I. B., të cilin e kanë lënë në rrugë, larg nga vendi i konfliktit, dhe më pas janë larguar.

Nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë, në bazë të kallëzimit të shtetasit I. B., është regjistruar procedimi penal dhe po punohet për sqarimin e motivit dhe të rrethanave të ngjarjes, si dhe për implikimin e këtyre personave, në ngjarje të tjera.

Top Channel