I shumëkërkuari, 28-vjeçari rus Denis Borisov, i cili u arrestua dy ditë më parë në Durrës, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania, pasi ishte i përfshirë në grupe trafikimi droge.

Gazetarja Anila Hoxha, ka siguruar për Top Channel dosjen, ku përshkruhet aktiviteti i tij i paligjshëm në të cilin ishte përfshirë.

Gjatë një periudhe të pacaktuar para datës 19/02/2022 të dyshuarit Denis Borisov dhe i gjykuari veçmas Berkman, ranë dakord së bashku që të tregtonin sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike si kokainë dhe mariuanë në zonën e Memingen, Kempton duke ndarë detyrat midis tyre.

Brenda grupit i dyshuari Berkman kishte rolin e furnizuesit e organizuesit dhe siguronte lëndët narkotike. Denis Borisov kishte rolin e kontaktit kryesor dhe ndërmjetësuesit me Berkman duke u koordinuar me njëri tjetrin që të kujdeseshin për pagesat dhe parapagimin e lëndëve narkotike.  I dyshuari tjetër Kohl, dyshohet të ishte shpërndarësi kryesor i lëndëve narkotike

Denis Borisov u kap në ambientet e një hoteli në rrethrrotullimin e Durrësit nga FAST Albania gjatë operacionit në bashkëpunim me DVP Durrës, Interpol Tirana dhe Interpol Wiesbaden,Gjermani.

28-vjeçari lindur në Rusi dhe rezident në Gjermani ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane, pasi Gjykata e Kempten, Bavari, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal gjerman.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden,Gjermani, vijon punën për ekstradimin e tij drejt Gjermanisë.

Top Channel