Fitoi Nobelin e mjekësisë, por mbetet pa fjalë: Prej tij, kuptojmë më mirë trurin tonë!

03/10/2022 20:20

“Mbeti pa fjalë kur mësoi se ishte ai fituesi i Nobelit të sivjetshëm të Mjekësisë; ishte shumë i lumtur por më pyeti plot përulësi nëse mund t’ia tregonte dikujt, nëse mund t’ia tregonte gruas së tij dhe unë thashë se ishte në rregull”.

“Ai ishte tepër i emocionuar për këtë çmim”! Sekretari i Komitetit të Nobelit dhe Mjekësinë, Thomas Perlmann, e përshkroi me këto fjalë reagimin e Svante Paabo kur mësoi se ishte fituesi çmimit më prestigjioz në botën shkencore  zbërthimin e kodit gjenetik të Neandertalëve, specia më e afërt me njeriun modern. Në një deklaratë të hënën, Organizata Nobel tha se shkencëtari Paabo po nderohet “për zbulimin e një qasjeje të re për të studiuar historinë tonë evolucionare, ndërsa na ndihmon ta njohim edhe më mirë trurin tonë”.

“Ka të bëjë me fiziologjinë njerëzore dhe atë që na bën neve si njerëz unikë në krahasim me të afërmit tanë. E gjithë kjo do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në të ardhmen për të kuptuar zhvillimin e trurit ose aftësinë tonë për të përballuar infeksionet e kështu me radhë”, tha Nils-Göran Larsson, Anëtar i Asamblesë Nobel në Institutin Karolinska.

67-vjeçari suedez kapërceu sfida të skajshme teknike në trajtimin e kampionëve të brishtë dhe të lashtë të ADN-së për të siguruar me sukses sekuencën e gjenomit, tha organizata.

“Kjo u pasua nga zbulimi spektakolar nga ana e tij e një specieje tjetër të zhdukur, Denisova, realizuar tërësisht nga të dhënat e gjenomit të marra nga një ekzemplar i një kocke të gishtit të vogël”, nënvizohet në deklaratë. Ky zbulim më pas arriti në përfundimin se Neandertalët dhe Denisovanët ishin grupe të afërta që u shkëputën nga njëri-tjetri rreth 600,000 vjet më parë.

Gjenet e Denisovanëve janë gjetur në deri në 6% të njerëzve modernë në Azi dhe Azinë Juglindore, gjë që tregon se ndërveprimi ka ndodhur edhe atje. Puna e shkencëtarit Paabo vërtetoi se Homo Sapiensët, Neandertalët dhe Denisovanët kishin ndërvepruar “gjatë periudhave të bashkëjetesës”, gjë që rezultoi në përfshirjen e ADN-së arkaike tek njerëzit e sotëm.”

Top Channel