Vrasja e Pjerin Xhuvanit/ Avokatja i kërkon prokurorisë hetim për publikimin e videove të vrasjes: I shkaktuan dhimbje familjarëve

02/10/2022 12:57

Avokatja Rezarta Tahiraj, ka kërkuar një hetim gjyqësor për tu filluar me urgjencë në Prokurorinë Elbasan, për publikimin e disa videove të vrasjes së Pjerin Xhuvani.

Tahiraj, që në seancën paraprake që i përket kësaj vrasjeje është Palë Civile duke përfaqësuar të drejtat e vajzës së viktimës, Evangjeli Xhuvani, me kallëzimin për ndjekje penale i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan që të hetojë për të verifikuar se kush ka shkelur detyrimin e sekretit duke e bërë publike shpërndarjen e filmimeve ndërkohë që duhet të ishin përdorur vetëm në fushën gjyqësore.

Avokate Rezarta Tahiraj, evidenton se kallëzimi i saj nuk ka për qëllim vetëm që të identifikojë autorët e kësaj vepre penale por edhe të pengojë shpërndarjen e mëtejshme të këtyre filmimeve. “Ato imazhe të vrasjes të shpërndara në mënyrë të paligjshme janë parë në mënyrë të pavullnetshme edhe nga e asistuara ime – bën të ditur Avokate Rezarta Tahiraj duke ju referuar vajzës së viktimës – dhe kjo situatë i ka shtuar stres dhe dhimbje në konstatimin që babai i saj është vrarë pavarësisht pranisë të shumë policëve”.

Në kallëzimin e saj avokate Tahiraj i ka kërkuar Prokurorisë të verifikojë nëse krahas videove janë shkelur me shpërndarjen, dokumenta të tjera të fashikullit gjyqësor në përdorim në seancën paraprake. Tahiraj ka kërkuar ndër të tjera që Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan të verifikojë nëse shpërndarja e këtij dokumentacioni gjyqësor të ketë ndodhur në mënyrë të qëllimshme dhe me çfarë qëllimesh ose për neglizhencë ose pakujdesi të atij që kishte detyrën dhe detyrimin për të mbrojtur posedimin, ruajtjen dhe konfidencialitetin.

Si ndodhi vrasja? 

Në 21 prill të vitit 2021, gjatë një përplasje me armë mes dy grupimeve politike mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani, në atë kohë eksponent i PS-së, ndërsa mbetën të plagosur 4 persona të tjerë mes të cilëve edhe një punonjëse policie.

Pas ngjarjes, në polici u vetë-dorëzua si autor i krimit Arbër Paplekaj, shoqërues i drejtues politik të PD të Elbasanit në atë kohë Gazmend Bardhi.

Paplekaj, ish-efektiv i Reneas qarkullonte në Elbasan i armatosur si pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës, strukturë e cila ishte ngritur nga PD në të gjithë vendin.

Top Channel