Përplasje klanesh rivale për shtëpitë e barit, ja cili është shkaku i pengmarrjes së shqiptarit në Londër

02/10/2022 14:34

Një 30 vjeçar shqiptar i marrë peng në Londër është shpëtuar falë një operacioni të përbashkët mes policisë shqiptare dhe asaj Britanike.

Shkëmbimi në kohë i informacionit bëri të mundur gjetjen dhe lirimin e 30-vjeçarit Nertil Buzi nga Patosi, i cili ishte marrë peng në Angli, nga shtetas shqiptarë te evidentuar si persona me rekorde kriminale ne Angli.

Policia britanike ka vënë në pranga 7 shtetas shqiptarë nga vlora e Fieri  dhe vijon operacioni për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

30-vjeçari shqiptar u mbajt peng për një javë nën kërcënimin se do ta vrisnin nëse nuk paguheshin 400 mijë sterlina nga te afërmit. Shkaku pengmarrjes dyshohet se është përplasja mes dy grupeve rivale në kontrollin e shtëpive të barit. Shuma pretendohej se ishte fituar nga puna e përbashkët e tyre dhe nuk ishte ndarë si duhet. Mësohet se pengu është keqtrajtuar në mënyrë ç’njerëzore dhe videot kur ai keqtrajtohej i dërgoheshin njerëzve të tij.

Nertil Buzi u morr peng para 12 ditëve nga një hotel ku kishte shkuar për tu sqaruar me rivalët. Ditën kur skadonte afati pagesës së ndërhyri policia dhe liroi pengun duke çuar në pranga 7 persona të përfshirë në këtë vepër penale.

Policia njofton se operacioni është në vijim dhe për këtë arsye nuk bëhen publike të dhënat e personave të arrestuar, deri në përfundim të operacionit.

 

Top Channel