Armand Duka viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë: Folëm për futbollin e Kombëtareve… historia e burgut, sprova e fundit për ta

02/10/2022 20:39

Kreu i FSHF-së, Armand Duka ka vizituar në burgun e Hagës Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Në Hagë, ai ka shkuar bashkë me kreun e futbollit në Kosovë, Agim Ademi, ndërsa përmes një shkrimi të shpërndarë në rrjetet sociale, ai shprehet i sigurt se Thaçi dhe Veseli do të dalin të fituar në këtë betejë.

“Kjo e Hashimit dhe Kadriut është e ngjashme me lojërat që bëjmë në fushë. Kemi hedhur në fushë lojtarët më të mirë të kombëtareve tona. Ndaj do dalim të fituar”, thotë Duka.

“Sot pasdite isha në burgun e Hagës, Holandë. Bashkë me Presidentin e Federatës së Kosovës Agim Ademi, e anëtarin e kominitetit ekzekutiv te FFK Mirsad Çollaku, u takuam e bashkëbiseduam me dy miq, dy figura me gjurmë të padiskutueshme në historinë e Kosovës dhe shqiptarisë, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Kjo historia e burgut, është sprova e fundit për ta. Dhe në çdo rast do të dalin të fituar për t’i dhënë fund njëherë e mirë të gjitha pretendimeve për të përbaltur UÇK-në dhe luftën për pavarësi të popullit të Kosovës.

Me erdhi shumë mirë që ishin mirë me shëndet dhe për më tepër për minuta të tëra folëm dhe për futbollin. Sa mirë e sa para kanë ecur Shqipëria e Kosova në këtë drejtim. Hashimi gjithmonë ka qenë një ndjekës i rregullt edhe në stadium.

Dhe kjo e Hashimit dhe Kadriut është e ngjashme me lojrat që bëjmë në fushë. Kemi hedhur në fushë lojtarët më të mirë të kombëtareve tona. Ndaj do dalim të fituar.

Hashim & Kadri, gjithë komuniteti i futbollit Shqipëri-Kosovë por edhe në gjithë trevat shqipfolëse është me ju”.

Top Channel