Ndeshja Partizani-Tirana/ Policia njofton masat, ja cilat segmente rrugore do të bllokohen në kryeqytet

01/10/2022 16:26

Një ditë para ndeshjesh së ekipeve Tirana-Partizani që do të zhvollophet në stadiumin “Air Albania” në kryeqyrtet, policia ka publikuar masat e marra për ruajtjen e rendit.

Para dhe gjatë ndeshjes do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme gjatë momentit të kalimit të tifozëve.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:

Rruga “Lek Dukagjini” përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” .

Po ashtu, doo të ketë bllokim të pjesshëm të rrugëkalimeve të tifozëve, si më poshtë:

Lëvizja e tifozëve të Tiranës: Nga Teatri i Operas dhe Baletit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Bajram Curri”, Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima” – stadiumi.

Lëvizja e tifozëve të Partizanit: Kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Gjergj Filipi” – stadiumi.

Policia thotë se do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.

Për shkaqe sigurie, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme si dhe çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit kjo e shoqeruar me dokument.

Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si tifozë problematikë.

Top Channel