Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka zhvilluar një takim ditën e sotme me Senatoren amerikane Jeanne Shaheen, e cila ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Shaheen shoqërohej në këtë takim edhe nga Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri Yuri Kim, si dhe përfaqësues nga Senati amerikan.

Gjatë takimit Begaj ka falenderuar Senatoren amerikane për përballimin e sulmeve kibernetike si dhe për mbështetjen në këto tre dekada për forcimin e ligjit.

Njoftimi:

Presidenti Begaj priti Senatoren amerikane Jeanne Shaheen                                                  30 shtator 2022

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj priti sot Senatoren amerikane Jeanne Shaheen, e cila ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri. Senatorja Shaheen shoqërohej në këtë takim nga Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Sh. S. Znj. Yuri Kim, si dhe përfaqësues nga Senati amerikan.

Presidenti Begaj e vlerësoi vizitën e Senatores Shaheen në Tiranë si vijim i shprehjes së vëmendjes dhe interesit të lartë të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe shqiptarët, si dhe nënvizoi se kjo vizitë merr një vlerë të shtuar pasi zhvillohet në kuadër të kremtimeve të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Begaj nënvizoi se pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë si dhe kërcënimeve e sfidave të reja me të cilat po përballet bota dhe rendi aktual botëror, nevoja e një bashkëpunimi e koordinimi sa më të ngushtë e në të gjitha nivelet bëhet edhe më i domosdoshëm.

Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë në tre dekadat e fundit, si dhe vlerësoi në mënyrë të veçantë mbështetjen e tyre shumë domethënës në kuadër të forcimit të shtetit ligjor, reformës së thellë në drejtësi dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen edhe për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga agjencitë e specializuara të Shteteve të Bashkuara në përballimin e sulmeve kibernetike të aktorëve të lidhur me agjencitë shtetërore iraniane, që synuan dëmtimin e infrastrukturës së shërbimeve qeveritare online dhe destabilizimin e vendit.

Top Channel