Parandalohet tragjedia në Tepelenë/ Shkoi me armë zjarri në vendngjarje pas konfliktit me bashkëmoshatarët, arrestohet 17-vjeçari

30/09/2022 18:02

Një ngjarje e cila mund të kishte përfunduar tragjike është parandaluar në Tepelenë, ku një 17-vjeçar pas konfliktit me bashkëmoshatarët ka marrë armën dhe është rikthyer sërish tek po i njëjti vend.

I mituri me iniciale R. H., banues në Tepelenë, është vënë në pranga pas ngjarjes dhe iu sekuestrua një armë zjarri automatik me krehër me fishekë, dhe një sasi me lëndë narkotike.

Pas një konflikti të çastit për motive të dobëta me tre bashkëmoshatarët, 17-vjeçari është larguar dhe  ka marrë armën e më pas është rikthyer në vendin e konfliktit.

Policia ka arritur në vendngjarje në lagjen “15 Shtatori” pas raportimeve se i mituri qarkullonte me armë zjarri.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e tij u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë janë shoqëruar edhe tre shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt.

Vijon puna për sqarimin e rrethanave të konfliktit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Top Channel