Një 40-vjeçar është proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi gjatë kontrollit në makinë iu konstatua një shumë e madhe parash.

Policia e Fierit e ka ndaluar shtetasin me iniciale R. B. në vendin e quajtur “Poçem” teksa drejtonte automjeti tip “Benz” .

Më pas u gjetën 44 000 paund dhe 3 000 euro, për të cilat 40-vjeçari nuk kishte dokumentacion që vërteton burimin e ligjshëm të tyre, për këtë arsye dyshohet se janë përfituar nga aktivitete kriminale.

Në bazë të provave ka nisur procedimi penal për autorin, banues në Shkodër, për veprën “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Përveç parave u sekuestruan edhe 2 aparate celulare dhe automjeti me të cilin udhëtonte ky shtetas.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të burimit të të ardhurave të 40-vjeçarit si dhe nëse është i përfshirë në veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel