“Rilindi” nga puna me Conten, Tottenhami merr vendimin për Kulusevskin

28/09/2022 15:50

Antonio Conte insistoi gjatë merkatos së janarit për të pasur shërbimet e Dejan Kulusevskit dhe drejtuesit e Tottenhamit ia plotësuan dëshirën, duke marrë lojtarin suedez me origjinë nga Maqedonia e Veriut në një huazim 1.5-vjeçar nga Juventusi për 10 milionë euro (3 milionë për gjysmën e dytë të sezonit 2021/2022 dhe 7 milionë të tjera për sezonin 2022/2023).

Klubi londinez ka të drejtën ta bëjë 22-vjeçarin të vetin nëse paguan edhe 35 milionë euro të tjera ne arkat e bardhezinjve nga Torino në fundin e sezonit. Performancat e sulmuesit të djathtë në Premier League kanë qenë shumë pozitive.

Një gol dhe 3 asiste numëron Kulusevski në sezonin e ri. Puna me Antonio Conten e ka rikthyer në formë të mirë, pas aventurës aspak pozitive te rekordmenët e futbollit italian. “Nuk u ndjeva mirë te Juventusi, arsyet janë të ndryshme.

Fiziku im ndryshoi te Tottenhami, kjo edhe falë punës së madhe në palestër. Zgjedhja për t’u transferuar nga Italia në Angli, ishte më e mira që mund të merrja. Conte ka merita të mëdha për formën që po kaloj, jam i lumtur që punoj me të”, deklaroi Kulusevski.

Sipas Super Sport te Tottenhami janë të kënaqur me rendimentin e lojtarit të kombëtares suedeze dhe drejtuesit e klubit ishullor kanë vendosur ta blejnë kartonin e tij në fund të sezonit. Nëse Kulusevski luan minimalisht 20 ndeshje në Premier League dhe skuadra e Contes kualifikohet në Champions League, Tottenhamit i kthehet në detyrim blerja e lojtarit ofensiv për 35 milionë euro.

Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë drejtuesit e klubit anglez do të kenë sërish një opsion blerjeje për një shumë që duhet përcaktuar gjatë bisedimeve me homologët italianë.

Top Channel