Festivali i filmit në Tiranë/ Shfaqen filmat e ditës së pestë

28/09/2022 15:31

Tirana International Film Festival  vijon me shfaqjen e filmave në ditën e pestë, por njëkohësisht vazhdon dhe puna e anëtarëve të jurisë të cilët do të përcaktojnë edhe fituesit mbrëmjen e 30 shtatorit.

Konkurrimi zyrtar për kategoritë kryesore do të vlerësohet nga 4 juri ndërkombëtare të formuara nga personalitete të njohur të industrisë kinematografike, si dhe një grup kineastësh të njohur nga Shqipëria e Kosova.

Një ndër to është dhe Zgjim Terziqi, pjesëtar i jurisë për kategoritë Video Art & Experimental, Balkan shorts, Eksperimental Studentor  dhe InALBANIAn.

“Deri tani kemi përzgjedhur fituesin në një kategori, duhet të bëjmë përzgjedhjen dhe për tri kategori të tjera, është një çmim filmi më i mirë në çdo kategori. Siç thashë, një përzgjedhje e kemi bërë, me atë jemi pajtuar të tre shumë shpejt. Ka filma shumë të mirë, është gara e fortë, kështu që kushdo që nuk merr çmim nuk do të thotë që filmi i tyre nuk është i mirë, por konkurrenca ka qenë shumë e fortë”, thotë regjisori Zgjim Terziqi.

Zgjimi ka qenë pjesëmarrës në Tiff me dy filma të shkurtër në edicionet e vitit 2018 dhe 2020, një prej të cilave ka dalë fitues.

“Kam marrë pjese me herët në TIFF me dy filma te shkurtër. Është eksperiencë ndryshe kësaj here për të vlerësuar filmat, krahasuar me kur dikush vlerëson filmin tënd. Në 2018, me filmin e parë kemi fituar, atëherë juria ka qenë e gjitha ndërkombëtar tani jemi të gjithë shqiptar, dy nga Shqipëria dhe unë  nga Kosova”.

Regjisori e vlerëson si një mundësi të vlefshme për pjesëmarrësit, duke qenë një festival filmi kualifikues për Oscar dhe European Film Awards.

“Është shumë e vlefshme për filmbërësit e rajonit, ne veçanti të Kosovës dhe Shqipërisë, është filmi i vetëm kualifikues për Oscar në rajon, i ka 20 vite festival, gjithashtu kualifikues për European Film Awards, d.m.th kushdo qe merr pjesë, duhet ta shfrytëzojë, për të takuar njerëzit, të vijë të shfaqë filmin, edhe si promovim në filma të tjerë në festivale të tjerë, sepse është një arritje vetëm për t’u selektuar fillimisht”.

Tirana International Film Festival do të përfundojë më 30 shtator me një ceremoni ku do të shpërndahen 25 çmime.

Top Channel