“20 vite super”, tërhiqet një nga heronjtë e Champions-it të parë të Chelsea

28/09/2022 12:22

John Obi Mikel është tërhequr nga futbolli në moshën 35-vjeçare.

Mesfushori nigerian kaloi vitet më të bukura të karrierës te Chelsea (2006-2017), periudhë gjatë së cilës fitoi nëntë trofe, mes tyre edhe Champions League (2013).

35-vjeçari qëndronte pa ekip prej nëntorit të vitit të kaluar, periudhë kur i dha fund aventurës me Kuwait SC. Me kombëtaren e Nigerisë luajti 89 ndeshje (6 gola), duke ia dalë të fitonte Kupën e Kombeve të Afrikës në vitin 2013.

John Obi Mikel fitoi medaljen e bronztë me kombëtaren afrikane në Lojërat Olimpike Rio 2016, teksa fitoi edhe një Kupë Turqie me Trabzonsporin dy vite më parë. Gjatë karrierës së tij, ai veshi edhe fanellat e Middlesbrough, Stoke (Angli), TJ-Teda (Kinë) dhe Lyn (Norvegji).

Ekziston një thënie që të gjithë gjërat e bukura e kanë një fund dhe për karrierën time si profesionist ajo ditë është sot. Kthej kokën pas në 20 vitet e karrierës time dhe duhet të pranoj se jam shumë i kënaqur me gjithçka që kam arritur.

Ky është fillimi i një rrugëtimi të ri, i një kapitulli tjetër në jetën time. Pres me padurim atë që më fsheh e ardhmja dhe shpresoj që të jeni gjithmonë pranë meje”, shkruan Obi Mikel në rrjetet sociale.

Top Channel