Sonda e NASA-s, “Dart” u përplas me sukses me asteroidin Dimorphos gjatë një prove paprecedentë për të parë nëse është i mundur devijimi i kursit të një shkëmbi hapësinor.

Përplasja galaktike ndodhi me trupin qiellor të gjendur të gjendur rreth 11 milionë kilometra larg Hënës. Qëllimi i të gjithë kësaj nisme që risjell në kujtesë filmin e njohur “Armagedon”, ishte të shihej nëse mund të shmanget kërcënimi i Tokës nga një asteroid, duke e goditur atë përpara se t`i afrohet planetit tonë.

Elena Adams, inxhiniere e misionit DART : Teksa i afroheshim asteroidit, po ndiqnim me tmerr dhe gëzim në të njëjtën kohë sepse do të shihnim të gjithë përplasjen. Në të vërtetë, nuk e kishim idenë se çfarë duhet të prisnim. Nuk e dinim saktësisht formën e asteroidit, dinim vetëm që do ta godisnim. Të gjithë këtu ishim duke mbajtur frymën në ato momente.

“Dart” u përplas mbi shkëmbin e vogël hapësinor me një shpejtësi prej 22,530 kilometrash në orë. Shkencëtarët thonë se përplasja duhet të ketë krijuar një krater në astereoidin e goditur dhe një grumbull gurësh dhe pluhuri në hapësirën rreth tij.

Shpresat janë që impakti të ketë ndryshuar orbitën e asteroidit, megjithatë kjo mund të mësohet vetëm pas disa ditësh ose edhe javësh. Sipas Adams, njerëzit mund të flenë më të qetë që momentin që do ta dijnë se ka një mbrojtje për planetin.

Top Channel