Vendi ynë është goditur nga dy ciklone njëri që erdhi nga Italia dhe tjetri nga Mali i Zi.
Fenomeni ka anët pozitive dhe negative. Nga njëra anë kaskada e Drinit pas një kohe të gjatë thatësire, po merr reshje të konsiderueshme, ndërsa nga ana tjetër shirat rrezikojnë të shkaktojnë përmbytje në Ultësirën Perëndimore.
“Zona e Mbishkodrës është ajo që do të marrë më shumë reshje në këtë episod, rreth 100 apo mbi 100 milimetra shi. Në Malësinë e Madhe do të bjerë edhe 150 milimetra shi. Do të kemi reshje edhe në zonën ku duhet të bjenë në fakt, duke sjellë ndryshim në kaskada, ku Kukësi pritet të marrë edhe 70 milimetra shi. Nga Elbasani dhe lart pritet të jenë edhe reshje here pas here intensive. Tirana, Durrësi, Kruja e gjithë kjo zonë pritet të marrë jo vetëm reshjet mujore, por në shumë qytete do të tejkalohet norma që duhet të bjerë për shtatorin. Pak reshje do te këtë zona e jugut, duke përjashtuar qarqet e Gjirokastrës dhe Elbasanit, ku pritet zhvillimi I një celule për 2-3 orë, gjatë pasdites së sotme, duke sjellë reshje edhe 40-45 milimetra shi. Situata do të qëndrojë e tillë edhe nesër, me rrebeshe, stuhi të forta ere, ndërkohë që do të ketë një përmirësim të dukshëm që nga e mërkura e deri në fundjavë, megjithëse fundjava sjell reshje, por më të pakta”, thotë Lajda Porja nga MeteoAlb.
Përsa i përket temperaturave, deri në fund të muajit shtatorit do të mbyllet me temperature 27-28 gradë Celcius, që janë tipike të shtatorit me reshjet prezente.
Ndërsa parametri i erës, do të jetë problematik sot dhe nesër. Stuhi të forta ere do të sjellin problem pothuajse në të gjithë trafikun detar, ku në momente të veçanta era do të arrijë shpejtësinë 70-75 km në orë.
Megjithatë do të ketë momente që edhe në sipërfaqen tokësore, në Tiranë, Elbasan do të kemi herë pas here momente kur era do të jetë e fuqishme dhe kujdesi duhet të jetë shumë i madh, duke qenë se nga përvoja kemi patur deri në humbje jete nga parametri I erës.
Top Channel