Zgjedhjet e së dielës në Itali katapultuan koalicionin e djathtë me në krye Giorga Meloni me Fratelli d’italia, në ‘tryezën e liderëve të BE-së’.

Rezultatet paraprake tregojnë se partia me rrënjë neofashiste, Vëllezërit e Italisë, drejtuar nga Giorgia Meloni, është fitues i zgjedhjeve të përgjithshme.

Për herë të parë, që nga Lufta e Dytë e Botërore, vendi do të qeveriset nga e djathta ekstreme dhe po për herë të parë, Italia do të ketë një grua për kryeministre. Por në këto zgjedhje Italia bëri histori edhe për pjesëmarrjen më të ulët në votime ndër vite, prej 64%.

Udhëheqësit e partive të krahut të djathtë të Evropës, përshëndetën fitoren e zonjës Meloni dhe ngritjen e shpejtë të partisë së saj, duke e parë si një mesazh historik për Brukselin.

“Italia është një vend shumë miqësor me Europën, dhe ne presim që kjo të mos ndryshojë”, nxitoi të jepte reagimin e qeverisë gjermane zëdhënësi i Olaf Scholz, Wolfgang Buechner.

Ndërsa zëdhënësi Komisioni EuropianEric Mamer tha:

“Shpresojmë të kemi bashkëpunim konstruktiv me autoritetet italiane”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron,  nga ana tjetër shprehu “respekt për zgjedhjen demokratike” të votuesve italianë dhe bëri thirrje që “të vazhdojmë të punojmë së bashku”, teksa marine le pen atje tha se populli italian zgjodhi një qeveri sovraniste.

Edhe SHBA, me anë të një mesazhi nga sekretari Antony Blinken tha se: Italia është një aleat themelor, një demokraci e fortë dhe një partner i vlefshëm ta, dhe mezi pres të punojnë në shumë fusha të rëndësishme.

Por gëzimin më të madh sigurisht që e shfaqën mbështetësit e së djathtës, Viktor Orban i Hungarisë  uroi ndër të parët, duke iu dërguar mesazh të tre liderëve: Pres me padurim bashkëpunimin tonë të ardhshëm.

Ndërsa nga Kremlini u tha se ata janë gati të mirëpresim çdo forcë politike të aftë të mendojë jashtë rrymës, e cila është plot urrejtje për vendin Rusinë dhe të tregojë një shkallë më të madhe objektiviteti dhe konstruktiviteti në marrëdhëniet me ta.

Ndërkohë fitorja e koalicionit të djathtë ka lënë jashtë skenës politike disa figura të rëndësishme. Enrico Letta, kreu i Partisë Demokratike (PD) të qendrës së majtë të Italisë , planifikon të japë dorëheqjen pas humbjes. Letta tha në një konferencë shtypi se kjo është një  “ditë e trishtuar për Italinë dhe Evropën”.

Edhe Luigi Di Maio aktualisht Ministër i Jashtëm i Italisë, njoftoi se do të dorëhiqet pas humbjes në Napoli.

“Nuk ka justifikime”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook. “Ne kemi humbur”.

Ndërsa Matteo Salvini anëtar i koaliciont të Melonit bashkë me Berlusconin, i cili mori një fitore të kënaqshme në Monza, pranoi se rezultati 9 % që partia e tij moti nuk është i kënaqshëm për të, por se ai është i gatshëm të punojë me Melionin për një Itali më të fortë.

Analistët politikë thonë se Salvini është një kameleon politik që nuk ka gjasa ta përballojë kaq lehtë ngritjen e Melonit në pushtet dhe përbën një nga kërcënimet më të mëdha për stabilitetin e qeverisë së saj.

Ai dëshiron të rikthehet në ministrinë e brendshme, një pozicion që e mbajti mes viteve 2018-2019, një periudhë e shkurtër por e mjaftueshme për të shkaktuar kërdi për emigrantët italianë.

Presidenti Sergio Mattarella thuhet se ka sinjalizuar se ai nuk dëshiron që ministria e brendshme të shkojë përsëri te Salvini, kështu që kjo mund të jetë sfida e parë e Melonit ndërsa ajo ndërton një kabinet.

Top Channel