Danimarka raporton rrjedhje ‘të rrezikshme’ të gazit në tubacionin Nord Stream 2

26/09/2022 18:51

Autoriteti detar i Danimarkës ka raportuar një rrjedhje gazi që është e rrezikshme për trafikun e anijeve në një tubacion që çon nga Rusia në Evropë nën Detin Baltik.

Operatori i Nord Stream 2 konfirmoi se një rrjedhje është zbuluar në juglindje të ishullit danez Bornholm në Detin Baltik.

Një zëdhënës i Nord Stream 2 tha se një humbje e presionit u zbulua në një tub herët të hënën dhe autoritetet përgjegjëse detare në Gjermani, Danimarkë, Suedi, Finlandë dhe Rusi u informuan menjëherë, raportoi agjencia e lajmeve dpa.

Ai shtoi se megjithëse tubacioni nuk përdoret për të importuar gaz, ai ende është i mbushur. 

Tubacioni ka qenë një nga pikat e ndezjes në një luftë të përshkallëzuar energjetike midis Evropës dhe Moskës që nga pushtimi rus i Ukrainës, që ka goditur ekonomitë kryesore perëndimore dhe ka rritur çmimet e gazit. 

Gazsjellësi ishte tashmë i kompletuar kur kancelari gjerman Olaf Scholz pezulloi certifikimin e Nord Stream 2 në prag të ndodhjes në Ukrainë, pasi Rusia njohu zyrtarisht dy rajone separatiste të mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore.

Gjermania ka qenë shumë e varur nga furnizimet me gaz natyror nga Rusia, por që kur Moska filloi luftën e saj në Ukrainë, ajo është përpjekur të kërkojë burime të tjera energjie.

Rrjedhja vjen një ditë përpara inaugurimit të një tubacioni të ri, Baltic Pipe, i cili do të sjellë gaz norvegjez përmes Danimarkës në Poloni.

Gazi norvegjez është menduar të ketë një rol të rëndësishëm në zëvendësimin e gazit rus. 

Top Channel