51 milionë italianë me të drejtë vote do të zgjedhin kryeministrin e tyre të ri këtë të dielë. 

Për herë të parë që pas rënies së Musolinit, në vendin fqinj, sondazhet tregojnë se në pushtet mund të vijë një parti e të djathtës ekstreme, duke e sjellë euroskepticizmin në mes të Europës.

Giorgia Meloni, 45 vjeçe cila bëri fushatë nën moton “Zoti, atdheu dhe familja” pret të bëhet kryeministrja e parë femër në histori me partinë Fratelli D’Italia.

Partia e saj u themelua nga mbështetësit e Musolinit, por me kohën, retorika e saj nacionaliste është zbutur. Tashmë ajo është tërhequr nga qëndrimet anti-NATO dhe anti-BE, duke u fokusuar  kundër “lobit LGBT” si dhe ka bërë thirrje për ndalimin e emigrantëve.

Meloni  mbështet sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, por do të rinegociojë me Unionin mbi fondin e emergjencës 200 milionë euro, që do të hedhë poshtë sakrificat e dy ish-kryeministrave Conte dhe Draghi.

Në pushtet ajo pritet të vijë bashkë me dy figura të tjera. Nga njëra anë është miliarderi 85 vjeçar Silvio Bersluconi, të cilit mosha nuk ja kufizon ambiciet. Pasi hodhi votën ai i uroi të gjithë kandidatëve fat.

Nga krahu tjetër është edhe Matteo Salvini, drejtuesi i “Ligës”, politikani që ka çështje të hapura me drejtësinë, për shkak se bllokoi ndihmën humanitare për emigrantët kur ishte ministër i brendshëm. Ai u shpreh se mezi pret ta drejtojë vendin

“Unë po luaj për të fituar, jo vetëm për të marrë pjesë. Mezi pres të kthehem nga nesër si pjesë e qeverisë së këtij vendi të jashtëzakonshëm”.

Në garë janë edhe tre figura të tjera, të cilët janë sprovuar si kryeministra dhe nuk kanë arritur ta mbajnë pushtetin me qëndrimet e tyre të moderuara. Udhëheqësi i “Lëvizjes Pesë Yjet” të Italisë dhe ish-kryeministri Giuseppe Conte katër vjet më parë mori 32% të votave, tani parashikohet të marrë vetëm 10 deri në 13% të votave.

Drejtuesi i  Partisë Kristian-Demokrat, Enrico Letta është kundërshtari më i flaktë i Melonit. Ai ka paralajmëruar se fitorja e Melonit është kërcënim për demokracinë dhe të ardhmen e Italisë, në NATO dhe BE. Edhe Matteo Renzi, ish-kryeministër pritet të marrë pak vota në këto zgjedhje.

Kutitë e votimit të hapura që në orën 7  paradite pritet të mbyllen në 23. Deri në orën 12 të drekës kanë votuar 19% e italianëve, pothuajse e njëjta përqindje me vitin 2018.

Ata do të zgjedhin një Parlament me një numër të reduktuar ulësesh në Dhomën e Ulët (400 nga 630), ndërsa Senati do të ketë 200 vende nga 315 të mëparshme. mes kandidatëve për senat është dhe ylli i kinemasë së viteve ’60 Xhina Lolobrixhida tashmë 95 vjeç.

Sa i përket kryeministrit që duan të shohin në pushtet votuesit shprehen:

“Jam shumë e shqetësuar nga situatat ekstreme që mund të krijohen nëse parti të caktuara vijnë në pushtet, sidomos duke marrë parasysh situatën në Europë, ku parti të tjera të ekstremt të djathtë po fitojnë.”

“Jam një votuese e partive të djathta, kështu që jam e lumtur të shoh Giorgia Meloni në karrige. E njoh që të re dhe e di që ka pikëpamje demokratik. Ajo është një femër inteligjente dhe e fortë. Ata që e shajnë xhelozojnë për të”.

Nga këto zgjedhje nuk kanë munguar as skenat qesharake, teksa një italian mori kanoen e tij për të shkuar të votojë në ishullin Ischia në rajonin e Kampani.

Top Channel