Shtetet e Bashkuara janë duke analizuar me “seriozitet” kërcënimet e presidentit rus, Vladimir Putin, për përdorim të armëve bërthamore si justifikim për të mbrojtur rajonet në Ukrainë, kështu tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Ai i tha BBC  se Shtetet e Bashkuara megjithatë nuk janë duke ndryshuar “pozicionin strategjik parandalues”, dhe se Putin ka folur në mënyrë të papërgjegjshme.

SHBA dhe Perëndimi thonë se  planet e presidentit të Rusisë për aneksim të disa pjesëve të Ukrainës nuk do të funksionojnë

“Askush nuk do t’i njohë ato. Ajo çfarë duhet të ndodhë është që Putin të largohet nga Ukraina. Ai duhet t’i japë fund kësaj lufte”, tha Kirby.

Presidenti Putin, ka shpallur më 21 shtator mobilizim të pjesshëm të rezervistëve ushtarakë për luftën në Ukrainë.

Të mërkurën, lideri rus ka paralajmëruar se shteti i tij do të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të mbrojtur territorin e vet.

Top Channel