Ish-presidenti Ilir Meta, i vënë në krye të Partisë së Lirisë, nga emisioni Top Story në Top Channel, i amplifikoi akuzat për Autoritetin e Dosjeve, autoritet i cili në fund të korrikut i çoi Kuvendit një relacion ku ngrihej akuza e rëndë ndaj një politikani të rëndësishëm me inicialet I., si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.
Këto qëndrime të ish-Presidentit prodhuan këtë reagim nga Autoriteti i Dosjeve.
“Është e drejtë e çdo individi të shprehë lirisht mendimet e tij, por nga ana tjetër kjo liri e shprehjes kufizohet nga etika në funksion të mbrojtjes së moralit dhe dinjitetit të personave kundrejt të cilëve drejtohet. Autoriteti shpreh keqardhje që shprehje fyese dhe jo etike, vijnë nga ish-zyrtarë në funksionet më të larta shtetërore dhe synojnë intimidimin e trupës kolegjiale gjatë zbatimit të detyrës për informimin e publikut me dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit. Institucionet ligj zbatuese, përfshirë këtu edhe institucionet ku është paraqitur kallëzimi penal ndaj anëtarëve të Autoritetit, duhet të lejohen të kryejnë detyrën e tyre në këtë drejtim”.
Pas këtij reagimi, Partia e Lirisë tha se “Mashtrimi dhe falsifikimi i dokumenteve janë vepra të rënda penale, sidomos kur kryhen nga zyrtarë përgjegjës për mbrojtjen e autenticitetit të tyre.
Superfëlliqësira, thotë Partia e Lirisë, janë ata që falsifikojnë dhe mashtrojnë duke cenuar të drejtat dhe privatësinë e të përndjekurve nga ish-Sigurimi i Shtetit. Partia e Lirisë e mbyll reagimin me fjalët: “Turp që për hir të korrupsionit tuaj dhe të të afërmve tuaj mashtruat Kuvendin dhe opinionin publik”.
Top Channel