Kërcënimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për përdorimin e armëve bërthamore pas ngecjeve të ushtrisë ruse në luftën në Ukrainë është “një retorikë e rrezikshme dhe e pamatur”, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sipas tij, e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës është që të dëshmohet se Moska nuk do të fitojë në fushëbetejë.
Stoltenberg tha në një intervistë për Reuters se njoftimi i Putinit përbën mobilizimin e parë ushtarak të Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kjo, sipas tij, do të përshkallëzojë konfliktin, që do të çojë në humbje më të mëdha të jetës. Por, shefi i NATO-s shtoi se njoftimi i Putinit po ashtu dëshmon se lideri rus ka bërë “një gabim të madh” kur ka vendosur që të pushtojë Ukrainën më 24 shkurt.
Ai tha se aleanca ushtarake e NATO-s do të qëndrojë e qetë “dhe nuk do të angazhohet në retorika të pamatura dhe të rrezikshme bërthamore sikurse presidenti Putin”.
“E vetmja mënyrë për t’i dhënë fund kësaj lufte është të dëshmohet se presidenti Putin nuk do të fitojë në fushëbetejë. Kur ai ta kuptojë këtë, ai do të detyrohet të ulet dhe të negociojë një marrëveshje të arsyeshme me Ukrainën”, tha Stoltenberg.
Gjatë një adresimi më 21 shtator, Putin njoftoi se do të mobilizojë deri në 300.000 rezervistë për të luftuar në Ukrainë. Ai po ashtu mbështeti planin për të aneksuar pjesë të Ukrainës, duke lënë të kuptohet se është i gatshëm të përdorë armë bërthamore për ta mbrojtur Rusinë.
“Nëse integriteti territorial i shtetit tonë kërcënohet, ne do të përdorim të gjitha mjetet e nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë – ky nuk është blof”, tha Putin.
Fjalimi i Putinit erdhi pasi forcat ruse janë dëbuar nga disa zona që kishin pushtuar në verilindje të Ukrainës, pasi Kievi nisi një kundërofensivë më herët gjatë këtij muaji.
“Fjalimi i presidentit Putin dëshmon se lufta nuk po shkon sipas planeve të tij”, tha Stoltenberg.
“Ai ka bërë një gabim të madh, një gabim strategjik”, tha Stoltenberg duke iu referuar Putinit.
“Përfshirja e më shumë trupave do ta përshkallëzojnë konfliktin. Kjo nënkupton më shumë vuajtje, më shumë jetë të humbura – jetë të ukrainasve, jetë të rusëve”, tha Stoltenberg.
Gjatë fjalimit, Putin, pa dhënë asnjë dëshmi, tha se zyrtarët e shteteve anëtare të NATO-s kanë kërcënuar me përdorimin e armëve bërthamore kundër Rusisë dhe se Rusia “ka po ashtu një sërë armësh” të shkatërrimit në masë.
Sipas Stoltenberg, NATO ende nuk ka parë ndonjë ndryshim në lëvizjen apo gatishmërinë e forcave bërthamore të Rusisë dhe shtoi se është kyçe që të parandalohet një përshkallëzim i tillë.
“Ne do të sigurohemi se nuk do të ketë asnjë keqkuptim në Moskë sa i përket seriozitetit të përdorimit të armëve bërthamore… Dhe për këtë arsye ne kemi qenë të qartë në komunikimet tona me Rusinë lidhur me pasojat e paprecedentë, lidhur me faktin se lufta bërthamore nuk mund të fitohet nga Rusia”.
Separatistët në katër rajonet ukrainase Donjeck, Luhansk, Herson dhe Zaporizhja, njoftuan më 20 shtator se planifikojnë të mbajnë të ashtuquajturat referendume për t’iu bashkuar Rusisë. Ata thanë se votime të tilla do të mbahen nga 23 deri më 27 shtator. Plane për mbajtjen e votimeve të tilla janë dënuar nga Perëndimi./REL
Top Channel