Meta bashkëpunëtor i ish-sigurimit? Xhixho: Kjo çështje të zbardhet sa më shpejt, iniciativë anti-ligjore! Ka kallëzim në SPAK për këtë gjë

21/09/2022 13:35

Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, ka komentuar ditën e sotme në Komisionin e ligjeve në lidhje me Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, ku dyshohet se ish-Presidenti Ilir Meta ishte bashkëpunëtor.

Xhixho u shpreh se kjo çështje është një alibi e qartë e mazhorancës dhe duhet të zbardhet sa më parë. Ajo shtoi se gjithashtu në lidhje me këtë ngjarje është bërë një kallëzim në SPAK për shtatë vepra penale të kryera nga Autoriteti i Dosjeve.

Nga ana tjetër përfaqësuesja e Autoritetit të Dosjeve Genta Sula, u shpreh se në lidhje me këtë çështje ende nuk është marrë asnjë vendim, ndërsa për pretendimet e ish-Presidentit Meta, ajo tha se duhet të paraqiten së bashku me prova të faktuara.

Xhixho: Prisja të kishim një iniciativë për shkarkimin e anëtarëve të autoritetit të dosjeve. Nëse ky parlament do të ishte vërtet i sinqertë duhet të kishte diskutuar sot për propozimet që kanë disa muaj që flenë në sirtarët e parlamentit. Ne sot diskutojmë për një akt që na është ynë para, për turpin e mazhorancës e iniciuar nga një lëvizje e paligjshme, dhe i gjithë ky ligj, ose më saktë një alibie për të gjithë veprimet skandalozë të autoritetit të dosjeve.

Gjithçka lidhet me një rast konkret, ku flitet shumë qartë se Ilir Meta, ish-Presidenti i Republikës ka bashkëpunuar me ish sigurimin e shtetit. Brenda 24 orëve Autoriteti i Dosjeve ka marrë vendime dhe i ka drejtuar Kuvendit letër, ku nuk është denjuar të marrë gjeneralitetet e autorit. Vetëm të goditet kundërshtari politik e të kthehet në një vegël politike të mazhorancës. Në këtë dosje emri i Ilir Rexhep Metaj nuk është në asnjë moment. Këtu kam deklaratën e bërë në vitin 90 pranë sigurimit të shtetit të përditësur para dy muajsh ku nuk është në asnjë moment e shprehur Ilir Rexhep Metaj, ndërkohë që autoriteti dhe kjo çështje nuk është thjesht e sqarimit të opinionit publik por tashmë është pjesë e SPAK. Ka një kallëzim ku janë shtatë vepra penale të kryera nga Autoriteti i Dosjeve për këtë çështje, e cila duhet të zbardhet urgjentisht shumë shpejt. Ky ligj që është një alibi e qartë e kësaj mazhorance, është e papranueshme ndërkohë që të gjithë qytetarët presin që ky institucion të jetë i pavarur. E gjithë kjo iniciativë anti-kushtetuese e anti-ligjore dhe mënyra se si po vihet në lëvizje parlamenti më një lëvizje anti-ligjore, është e papranueshme e drejtësia duhet të zbardhë sa më shpejt këtë çështje që ndodhet në tryezën e saj.

Bushka: Kush ka pretendime me organe të caktuara ligjore të shkojë e të ankohet. Ju lutem respekt për të ftuarit.

Genta Sula: Nuk kemi marrë vendim, nuk kemi bërë hetime, çdo pretendim jo vetëm i tij por i çdo qytetari që nuk i pëlqen duhet në bashkëpunim me ne me fakte prova çfarë ka ndodhur, disponimi në dorë të deputetes është e paligjshme, ajo duhet që të lexonte mirë ligjin, sepse nuk është me ligj që ta marrësh.

Top Channel