Inteligjenca britanike e Mbrojtjes ka thënë në vlerësimin e saj më 20 shtator se beson që flota ruse në Detin e Zi ka lëvizur nëndetëset nga porti i Gadishullit të Krimesë, drejt jugut të Rusisë, për shkak të kërcënimit nga sulmet ukrainase.
Ministria britanike e Mbrojtjes, ka thënë në përditësimin e fundit se komanda e flotës në Detin e Zi “pothuajse me siguri ka lëvizur nëndetëset e stilit KILO”, drejt Novorosiskut në Krasnodar Krai.
“Kjo gjë ka shumë mundësi të ketë ndodhur për shkak të ndryshimeve të fundit dhe rritjes së nivelit të kërcënimit nga kapaciteti ukrainas për sulme me rreze të gjatë”, është thënë në vlerësim.
Ministria britanike ka cituar sulmet që kanë ndodhur në dy muajt e fundit në bazën e flotës ruse dhe bazën e aviacionit detar.
“Siguria e bazës tani rrezikohet drejtpërdrejt nga agresioni i vazhdueshëm i Rusisë kundër Ukrainës”, ka thënë ministria britanike.
Ushtria ukrainase ka nisur një kundërofensivë në fillim të muajit shtator, për të rikthyer kontrollin në territoret e pushtuara nga forcat ruse, prej nisjes së luftës në fund të muajit shkurt.
Ushtria ukrainase pretendon se ka fituar kontrollin e mbi 8.000 kilometrave katrorë në rajonin e Harkivit, prej nisjes së kundërofensivës.
Ushtria ruse ka thënë se trupat e saj janë tërhequr nga Harkivi për t’u rigrupuar.
Megjithatë, ekspertët besojnë se Rusia ka përdorur arsyetim të njëjtë edhe kur ka dështuar që të fitojë kontrollin e Kievit, disa javë pas nisjes së luftës, dhe për pasojë është tërhequr nga ai rajon.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre/rel
Top Channel