Një sasi mallrash të ndryshme ushqimore dhe industriale të kontrabanduara, janë sekuestruar mesditën e sotme në Kakavijë, të ardhura nga Greqia.
Në lidhje me ngjarjen është vënë në pranga shoferi i autobusit 37-vjeçari me inicialet E.G, banues në Fier, i cili transportoi mallrat kontrabanduara, nga Greqia për në Shqipëri.
Në hyrje të RSH-së, në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavije, shërbimet e Policisë kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, një autobus të linjës Athinë-Tiranë, me drejtues shtetasin E. G.
Nga kontrolli i ushtruar në bagazhin e autobusit u gjetën mallra të ndryshme ushqimore dhe industriale (37 goma makinash, 200 litra vaj makinash, 5 thasë me konfeksione, 20 pako cigare, 2 kuti me medikamente mjekësore, etj), të cilat ishin të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës.
Materialet në ngarkim të shtetasit E. G. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda me mallra për të cilët paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”.
Top Channel