Projekti “100 fshatrat turistikë”, një nga angazhimet e qeverisë nuk është përmbushur në fshatrat e qarkut Durrës. Radë, Shetaj dhe Shën Vlash janë 3 fshatrat që përfshihen në listën e planifikuar për t’i kthyer në atraksione turistike, me qëllim përforcimin e ekonomisë së zonave rurale.Fiks Fare vizitoi tre fshatrat e Bashkisë Durrës, ku projekti për rilindjen rurale pothuajse nuk ekziston.

Në fshatin Shetaj sipas hartës ka shumë gjera për të parë, ka dhe muze si dhe pika panoramike. Por banorët e këtij fshati pohojnë se në fshatin e tyre nuk ka asgjë dhe turistët e shumtë që vijnë i drejtohen  Kepit të Rodonit. “Rruga deri këtu është e shtruar me asfalt, por ne nuk kemi ujë të pijshëm, a do vinin turistët pa ujë?” shprehen banorët.

Fiksi ndoqi rrugën sipas hartës dhe qëndruan në pikën panoramike që ishte veçse një sipërfaqe trualli që për nga vendndodhja ishte shume bukur nëse vështrimin e “tresje” në det, por të shikoje nën këmbë, kishte vetëm plehra. Rruga  më pas niste dhe bëhej me gropa për te “Kepi i Rodonit”, por sapo mbërrije në aftësi të tij, një tra i vendosur nga privati të ndalon duke ju detyruar që të paguani për të vazhduar më tej udhëtimin turistik.

Në hyrje të fshatit Radë gazetarët hasën një trung, ku më përpara shërbente për të mbajtur  një tabelë orientuese nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit për t’u bërë më dije vizitorët për të veçantën e këtij fshati. Pjesën tjetër të tabelës e gjeje  pak metra me tej mes shkurreve që e kishin mbuluar.

Në këtë fshat ndodhet  një fermë agro-turizëm e madhe,  por që dhe rrugën për të shkuar aty po e shtronte Bashkia e Durrësit dhe jo investim nga shteti.

Një banor i fshatit që shiste rrush buzë rrugës u pohoi gazetarëve se godina që dikur kishte qenë muze i fshatit tani e kishte privatizuar ai dhe e kishte bërë shtëpi.

Në Shën Vlash ka vetëm një manastir të madh ku vijnë turistë për ta parë i cili ndodhet afër rrugës.  Nuk ka asgjë tjetër ky fshat që mund të tërheqë vëmendjen e turistëve.  Këtë e konfirmojnë edhe banorët që shprehen se turistët nuk futën fare në fshat , por shohin vetëm manastirin e kthehen mbrapsht. Përveç investimit që ka bërë Bashkia Durrës në shtrimin e rrugëve kryesore dhe shtrimin e tubacioneve të ujërave të zeza, investime të tjera nuk ka.

 

 

Top Channel