Qartësimi i rezultatit zgjedhor ka detyruar kryeministren suedeze, Magdalena Andersson, të japë dorëheqjen.
Me numërimin e 99% të votave, koalicioni i saj i qendrës së majtë ka siguruar 173 vende në parlament, dhe tashmë duket qartazi në rrugën e humbjes përballë bllokut të partive të djathta që numëron 176 vende. Partinë tani pritet ta formojë partia e Moderuar e Ulf Kristersson.
Blloku fitues përfshin edhe lëvizjen e ekstremit të djathtë, Demokratët e Suedisë, e cila e përqëndroi fushatën e saj tek njëri prej problemeve që po shqetësonte më shumë qytetarët e këtij vendi së fundi, rritja e ndjeshme e dhunës së bandave kriminale.
Magdalena Andersson, kryeministre e Suedisë: E dinim të gjithë se kështu do të shkonte; pjesa dërrmuese e sondazheve të opinionit tregonin se gara elektorale kishte për të qenë shumë e ngushtë. Nuk mund të them që u befasova, por jam ndërkohë e shqetësuar sesi do të shkojnë gjërat në Suedi gjatë viteve në vijim.
Reagimet mes suedezevë te thjeshtë, ishin të përziera.
Larry Nilsson , pensionist: Është tregues i trishtë i kohëve në të cilat jetojmë. Tani e profilizojnë veten sui shpëtimtarë duke trembur njerëzit me pohimet se jeta në Suedi nuk është më e sigurtë, me kriminelët nëpër rrugë. Ndërkohë, një gjë e tillë prek vetëm një apo 2 % të njerëzve që jetojnë në këtë vend. Si mund të fitojnë zgjedhjet me këtë? Është qesharake.
Ninnie Twgstrwm, studente: Me ndryshimin në vetvete unë jam OK. Vetëm më shqetëson fakti që partitë e djathta janë më të hapura të bashkëpunojnë me ekstremin e djathtë, dhe nuk e di si mund të ndikojë kjo në politike. Megjithatë, në fund të ditës, të majtë apo të djathtë, mendoj se njësoj është për ne këtu në Suedi.
E krijuar nga një lëvizje neo-naziste në fund të viteve 1980, partia kundër emigrantëve, Demokratët e Suedisë, hyri në Parlament me 5.7 për qind të votave më 2010, dhe u rrit më pas në 17.5 për qind më 2018. Rezultati përfundimtar pritet të konfirmohet pas rinumërimit të votave, praktikë kjo standarde në Suedi.
Top Channel