Fiks Fare/ Spitali Memorial me “5 yje” në Fier, pacientët nuk bëjnë dot rezonancën e kokës . Nuk ka kontrast!

15/09/2022 20:40

Një nga investimet më të fundit në Shqipëri ka qenë Spitali Memorial i Fierit. Godina, disa pajisje dhe një pjesë e stafit janë “dhuratë” nga qeveria turke. Spitali u konsiderua me “5 yje”, ndërsa do t’i vinte në ndihmë disa qyteteve në Jug të Shqipërisë.

Por, i inauguruar me shpejtësi para zgjedhjeve parlamentare të prillit të vitit 2021, në këtë spital kanë filluar edhe problemet e para. Përpos ankesave për trajtimin të ndryshëm financiar të personelit turk dhe shqiptar, disa pajisje nuk po funksionojnë, duke sorollatur pacientët.

Ne redaksinë e emisionit Fiks Fare mbërriti një denoncim se në këtë spital mungon kontrasti për të bërë rezonancën e kokës (MRI ). Pacienti është i detyruar ta blejë vetë nëse dëshiron të marrë këtë shërbim. Por, problemi qëndron se kontrasti është vetëm për përdorim spitalor dhe nuk mund të blihet në asnjë farmaci.

Në ankesën që u dërgua drejt redaksisë së Fiksit shkruhej “Në spitalin Memorial të Fierit nuk bën dot EZHE, pasi s’ka kontrast për EZHE. Doja të bëja një EZHE koke, por mjekët më thonë shko blejë vetë kontrastin. Unë nuk kam para të blejë dhe rrezikoj jetën. Nuk kam para as për në privat, si mundet pacienti të blejë kontrastin për aparaturën e EZHE-së vetë?! ”

Pas kësaj ankese, gazetarët e emisionit Fiks Fare udhëtuan drejt qytetit të Fierit, dhe u interesuan te personeli i Spitalit Memorial të Fierit, në Pavijonin e Radiologjisë.  Infermieri pohon se për të bërë rezonancën me kontrast duhet ta blesh vetë pasi spitali nuk ka. “U kemi thënë pacientëve ta sigurojnë vetë dhe të vijnë ta bëjnë. Janë njoftuar me e-mail spitalet që nuk ka kontrast” shprehet ai  Pyetjes së Fiksit se ku mund ta blejnë apo sigurojnë pacientët e interesuar, infermieri ngre supet.

Pasi konfirmuan se spitali me ‘5 yje’ nuk disponon kontrast që duhet për bërjen e rezonancës, pyetja tjetër që u shtrua nga gazetarët e Fiksit ishte se ku mund ta sigurojnë pacientët  këtë lëndë me përdorim spitalor.

Fiksi pyeti në disa farmaci në qytetin e Fierit, nëse shisnin apo jo kontrastin për rezonancë të sugjeruar nga ky spital. Në të gjitha farmacitë ku Fiksi u interesua askush nuk e ka në shitje këtë lëndë. Por të gjitha e dinin se cila farmaci e dispononte atë. Farmacistët i sugjeruan gazetares së Fiks Fare se vetëm një farmaci e ka këtë kontrast dhe e shet “nën dorë”.

Fiksi i drejtohet  farmacisë që i sugjeruan farmacitë e tjera, Farmaci Teuta. Ajo ndodhet afer spitalit dhe e disponon lëndën e kontrastit për përdorim spitalor.  Gzetarët kërkojnë ta blejnë dhe farmacistja i kërkon që fillimisht të bëjnë prenotimin për rezonancë e më pas të shkojnë ta marrin. Kjo pasi lënda e kontrastit ka kushte specifike të ruajtjes. Lënda e kontrastit ishte gjendje në këtë farmaci pa problem kundrejt pagesës prej 6000 lekësh të reja.

Pra edhe pse një investim kolosal, Spitali Memorial i Fierit nuk kishte lënëden bazë për rezonancën. Atë mund ta blije në të zezë në farmacinë afër me të. Për pacientët që nuk mnd ta përballojnë shifrën prej 6000 lekësh të rinj, zgjidhja e vetme është mosbërja e rezonancës, duke rrezikuar edhe vijimin e kurimit të tij.

Farmacia “Teuta”

Fiksi – Më thanë që këtu mund ta gjej po arrita ta gjej.

Farmacistja – Po e gjejmë. Të parin. Për rezonancë?

Fiksi – Po për rezonancë.

Farmacistja – Kur e ke ta bësh?

Fiksi – Nuk ma kanë prenotuar akoma pa gjetur kontrastin.

Farmacistja – Shko thuaj, po e gjej thuaj. Claristan ëëë?

Fiksi – Sa kushton?

Farmacistja – 6000 mijë lekë. 6000 ( gjashtëdhjetë)

Fiksi – Duhet ta porosis edhe të vij ta marr apo ….

Farmacistja – Fol me ata të të lejnë datën se ruhet në kushte specifike, nuk mund ta lëvizësh. E kupton? Që ta marrësh , të vish prap, ta çosh prap nuk funksionon.

Fiksi – Ok

Farmacistja – Se të duhet të blesh tjetër pastaj. Ne e kemi në çdo moment. Shko lej një datë për skanerin, më fal për rezonancën edhe hajde ta marrësh kur të duash ti.

FOTO GALERI
4/11

Top Channel