Arkitektura dhe urbanistika në modë/ Studentët preferojnë dhe Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit

15/09/2022 12:27

Universiteti Politeknik në Tiranë është më i vjetri (që nga 1951) dhe aktualisht ndër më të kërkuarit nga maturantët. Ofron 22 programe studimi në Bachelor.

Megjithëse procesi i regjistrimeve, raundi i parë, vazhdon ende, Fakulteti I Arkitekturës dhe Urbanistikës, i ka plotësuar të gjitha kuotat që ofrohen këtë vit akademik.

“Unë sapo u regjistrova në Inxhinieri Eletronike. Kam fituar në 5 degë të tjera, por po prisja këtë, pasi më pëlqen më shumë. Unë gjatë gjithë gjimnazit kam qenë më tepër për inxhinieritë. Inxhinieria Elektronike është një degë padyshim shumë e kërkuar si këtu, si në Europë. Bachelorin kam në plan ta kryej këtu dhe më shumë mundësi Masterin e kryej jashtë. Më pëlqen më shumë të punoj jashtë, sesa këtu”, u shpreh maturanti Kevi Tarushi.

Ne ofrojmë mbi 1700 kuota të reja studimi. Ka fakultete që tashmë I kanë mbyllur regjistrimet, sikurse është Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, në të tre programet e veta që ofron. Ndërkohë që në trendin më të mirë është Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit me të tre programet e studimit, Inxhinieria Informatike, Inxhinieria Elektronike dhe Telekomi, të cilat janë në masën mbi 90% të maturantëve të regjistruar”, thotë rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Andrea Maliqari.

Dhe ajo që është më pozitive dhe që po e shohim deri më tani është mesatarja. P.sh. në degët e studimit, sikurse është Teknologjia e Informacionit, tek Inxhinieria Informatike, mesatarja e maturantit që është pranuar i fundit është 9.7.

Sigurisht që ka edhe fakultete që janë më pak të kërkuara, megjithëse hyjnë tek programet që janë prioritet kombëtar.

“Ajo që ne vërejmë dhe që kemi parë që është trend i 5 viteve të fundit është që nëse te Fakulteti i Gjeologjisë si dhe Fakulteti i Inxhnierisë Matematike dhe Fizike, kemi më pak studentë të regjistruar, në fazat e fundit numri i regjistrimeve rritet, sepse vetë formula e regjistrimit të studentëve është e tillë, që do të preferojnë ato degë që janë më të kërkuara, për të mbërritur tek ato më pak të preferuara. Megjithatë, ne si Politeknik, nuk kemi patur ndonjëherë probleme me plotësimin e kuotave, madje këtë vit kërkesat për të studiuar në një nga programet tona kanë shënuar rritje”.

Top Channel