Shangai përgatitet për stuhi të fuqishme/ Anulohen fluturimet, mbyllen shkollat dhe evakuohen qytetarët

14/09/2022 17:39

Të gjitha fluturimet në dy aeroportet ndërkombëtare të Shangait janë anuluar, pasi qyteti po përgatitet për një tajfun të fuqishëm.

Tajfuni ‘Muifa’ ka mbërritur në Kinë, duke goditur qytetin Zhoushan, në juglindje të Shangait.

Ky është cikloni i 12-të që godet Kinën kontinentale këtë vit dhe autoritetet presin që ai të jetë më i fuqishmi deri më tani.

Dhjetëra fluturime tashmë janë shtyrë, ndërsa parashikuesi shtetëror i motit i Kinës tha se tajfuni është mjaft i fortë sa për të rrëzuar pemë, për të dëmtuar shtëpitë dhe për të rrëzuar linjat e energjisë.

Valë deri në pesë metra të larta dhe reshje të jashtëzakonshme shiu priten pranë qytetit me rreth 25 milionë banorë.

Testimi i Covid vazhdoi në Shaghai ndërsa tajfuni afrohej

Në disa zona të Shangait janë ngritur qendra të përkohshme evakuimi, për t’i paraprirë situatës.

Ndërkohë, në Ningbo, një qytet në jug të Shangait, shkollat ​​janë mbyllur dhe është lëshuar një alarm i kuq, paralajmërimi më i lartë i motit në Kinë.

“Zonat përkatëse duhet t’i kushtojnë vëmendje parandalimit të përmbytjeve të shpejta dhe fatkeqësive gjeologjike që mund të shkaktohen nga reshjet e mëdha të shiut“, tha agjencia kineze e motit.

Gati 7,400 anije tregtare kanë kërkuar strehim në portet e provincës Zhejiang, pasi autoritetet i urdhëruan ata të ktheheshin në port përpara stuhisë.

Diku tjetër, sipas BBC rreth 13,000 njerëz që qëndrojnë në ishujt dhe vendet turistike aty pranë janë evakuuar, raportoi TV Shtetëror.

Tajfuni pritet të lëvizë nëpër Kinë dhe mund të prekë deri në 12 nga 31 provincat e Kinës në ditët në vijim.

Harta

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA