Rritja e sigurisë kibernetike/ Peleshi: Projekt me vlerë 24 mln $, me ndihmën e aleatëve. Sistemet ushtarake s’u prekën nga sulmi

14/09/2022 13:10

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, tha se qeveria po bashkëpunon me aleatët ndërkombëtarë në betejën për të forcuar sigurinë kibernetike në vend.

Ne deklaratën për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Peleshi njoftoi për një projekt me ndihmën e aleatëve që arrin vlerën 24 mln dollarë, për të rritur mbrojtjen kibernetike. Gjithashtu ai deklaroi se nuk ka vend për panik pasi vendi ynë, si vend anëtar në NATO është i pacenueshëm.

“Sistemet tona kibernetike ushtarake as herën e parë as tani nuk janë prekur. Janë më se të mbrojtura për shkak se janë të dedikuara dhe të shkëputura nga sistemet e tjera. Sa i përket planeve dhe projekteve që po punojmë për ta ngritur në një nivel më të lartë sigurinë kibernetike jemi në zbatim të një projekti shumë të madh në vlerë 24 mln dollarë të mbështetur nga partnerët që synon ngritjen e qendrës së sigurisë kibernetike dhe aftësimin e stafit. Nuk jemi në ndonjë skenar të mundshëm të cenimit të sovranitetit tonë. jemi anëtarë të NATO-s, jemi të paprekshëm. Asnjë territor i NATO-s nuk është i cenueshëm”, tha Peleshi.

Ministri i Mbrojtjes siguron publikun se sistemet kibernetike ushtarake nuk janë prekur nga sulmet e fundit.

“Sistemet tona kibernetike ushtarake, as herën e parë, as tani, nuk janë prekur. Janë mëse të mbrojtura për shkak se janë më specifike, më të dedikuara, janë më të shkëputura nga sistemet e tjera, janë disi autonome. Kjo bën që ato të jenë më të mbrojtura”.

Peleshi theksoi se “nuk jemi në një skenar të mundshëm të cenimit të sovranitetit të vendit tonë”.

“Jemi aleatë të NATO-s. Asnjë pëllëmbe e hapësirës së NATO-s nuk është e cenueshme. Nuk ishte një sulm i lehtë apo amator. Partnerët që punojnë me ne, nga Microsoft dhe partnerë të tjerë nga SHBA, janë garancia më e mirë se në këtë luftë ne do të jemi fitues”.

Shqipëria është përballur me dy sulme të ashpra kibernetike brenda pak javëve. Në 15 korrik, u sulmua e-Albania dhe faqe të tjera qeveritare, ndërsa të premten e  kaluar hakerat iranianë bllokuan sistemin TIMS, që sërish vazhdon të ketë probleme në pikat tona kufitare.

Top Channel