Një nga transferimet më të bujshme të merkatos verore ishte padyshim edhe kalimi i Paulo Dybalës te Roma.
Futbollisti arggjentinas mbylli aventurën shtatëvjeçare me Juventusin, teksa preferoi të qëndronte në Itali aty ku verdhekuqtë dhe trajneri i tyre, Jose Mourinho këmbëngulën për ta bërë pjesë të organikës.
Dhe, në fakt, “La Joya” nuk i ka zhgënjyer pritshmëritë e romanistëve teksa në gjashtë javët e para të kampionatit ka realizuar tre gola si dhe ka asistuar në dy të tjerë duke ndihmuar skuadrën të koleksionojë pikë të vlefshme. Por, përveç aspektit realizativ, Dybala po impresionon në kryeqytet edhe për formën fizike, e cila në vitet e fundit shpeshherë e ka “lënë në baltë” futbollistin. Madje, ishte edhe një nga arsyet pse e larguan tek Juventus.
Mesa duket fizioterapistët e Romës kanë gjetur recetën e duhur dhe Dybala në këtë sezon është aktivizuar në shtatë ndeshje radhazi si titullar. Një statistikë të cilën 28-vjeçari nuk e përsërit prej kohës kur aktivizohej me Palermon në sezonin 2014-2015. U desh të kalonin plot shtatë vite, që Dybala të kishte një vazhdimësi të tillë dhe nëse Mourinho ia del ta mbajë në formë argjentinasin, atëherë me siguri sulmuesi do t’ia shpërblejë me të tjera “perla” në fushë për t’i dërguar kryeqytetasit tek objektiva madhorë në fundin e sezonit.
Top Channel