“Mund të shkojë jashtë parashikimeve”, ambasada amerikane paralajmëron qytetarët amerikanë për protestën e opozitës në Sharrë

13/09/2022 18:02

Ambasada e SHBA-së ka këshilluar qytetarët amerikanë që jetojnë në vendin tonë, të shmangin këtë pasdite zonën pranë landfillit të Sharrës, ku do të mbahet protesta e opozitës, e thirrur nga Ilir Meta.

Një protestë është planifikuar të zhvillohet pranë landfillit të Sharrës, afërsisht 6 km në perëndim të Ambasadës së SHBA, shkruhet në njoftimin e ambasadës për qytetarët e saj.

“Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin tubimet e mëdha. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediet lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit”, thuhet më tej.

Protesta e parë e Ilir Meta, që e thërret si kryetar i Partisë së Lirisë, mbahet sot në inceneratorin e Tiranës.

Lidhur me vendin e zgjedhur për të protestuar Meta argumentoi se është një çështje e ndjekur dhe e denoncuar prej kohësh nga LSI në fillim e më pas nga Partia e Lirisë, emër të cilin zgjodhi t’I vendosë partisë pasi la Presidencën.

Sali Berisha nuk do të jetë në protestë, ndërkohë që pritet pjesëmarrja e deputetëve që e mbështesin ish-kryeministrin.

Top Channel