Izraeli jep alarmin: Irani po përdor struktura ushtarake në Siri për të prodhuar armë!

13/09/2022 12:12

Izraeli raporton me shqetësim se Irani është duke përdorur mbi 10 ndërtesa ushtarake në Siri për të prodhuar raketa të avancuara dhe armë.

Shteti hebre ka kryer prej disa vitesh sulme në Siri ndaj atyre që i përshkruan si shënjestra të lidhura me republikën islamike. Gjatë një konference në Nju Jork, ministri izraelit i mbrojtjes, Benny Gantz, paraqiti një hartë ku tregoheshin sipas tij strukturat ushtarake të Centre D’Etudes et de Recherches Scientifiques (CERS), agjenci qeveritare siriane, që nga sa pohoi zyrtari i lartë izraelit, është e përfshirë në prodhimin e raketave dhe armëve për Iranin.

“Irani e ka shndërruar CERS-in në vend për prodhimin e raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, në prodhimin e raketave precize dhe armëve, që i jepen Hezbollahut dhe grupeve të afërta me të. Me fjalë të tjera, CERS është bërë një fabrikë për armë të avancuara dhe strategjike të Iranit”, tha Benny Ganz, ministër izraelit i mbrojtjes .

Sulmet ajrore, që i janë atribuuar Izraelit, së fundmi janë intensifikuar në aeroportet siriane, me qëllim që të pengojnë Teheranin që të përdorë linjat ajrore për dërgimin e armëve tek aleatët në Siri dhe Libi, përfshirë edhe Hezbollahun, thotë Reuters duke cituar burime rajonale diplomatike dhe të inteligjencës.

Në shënjestër ka qenë vazhdimisht zona e Masjafit, në veriperëndim të Sirisë, ku sipas Gantzit, gjenden ndërtesat nëntokësore për prodhimin e armëve që sipas ministrit izraelit, përbëjnë një kërcënim për Izraelin dhe për rajonin. Gantz shtoi se Irani po ashtu po punon për të ndërtuar industri të prodhimit të armëve dhe raketave në Libi dhe Jemen.

Top Channel