Abetarja mbarëkombëtare, Rama: Pas Kosovës, edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në diasporë

12/09/2022 15:28

Në ditën e parë të Kongresit për Arsimin me fokus “Sfidat e Arsimit Cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt Integrimit Europian” kryeministri Edi Rama fillimisht e vuri theksin tek nevoja për të mbrojtur gjuhën shqipe.

“Teksa brezi më i ri përfshihet me një shpejtësi marramendëse në rrugën e komunikimit përmes telefonave celularë, përmes kompjuterëve, gjuha është më e rrezikuara dhe nga ana tjetër, kjo nuk i ndodh vetëm gjuhës sonë, kjo i ndodh të gjitha gjuhëve që sot janë në këtë presion të madh të konsumit marramendës, si asnjëherë më parë, të fjalëve për të komunikuar në një moment kur distanca është zëruar dhe ku shpejtësia eksponenciale e mundësisë për komunikim bëhet gjithmonë e më marramendëse”, tha Edi Rama.

Kur libri bëhet përditë e më i huaj për njerëzit tha kryeministri për të ruajtur gjuhën shqipe lipset një bashkëpunim që i kalon kufijtë e Shqipërisë.

“Kemi më shumë nevojë se asnjëherë më parë nevojë për të bashkuar mendjet tona përtej kufijve të Shqipërisë, për të bashkuar mendjet tona në të gjithë hapësirat ku jetohet dhe flitet shqip, që nga hapësirat shtetërore të Shqipërisë apo Kosovës, të Maqedonisë së Veriut apo Malit të Zi, të zonave ku shqiptarët jetojnë në emigracion e deri tek hapësirat brenda shtëpive, aty ku shqiptarët janë shpërngulur deri në pikat në të largëta të globit”, u shpreh Rama.

Përdorimi abetares të unifikuar duhet të shtrihet edhe në vende të tjera.

“Por futja e Abetares së unifikuar që ne do të bëjmë çmos që të shtrihet dhe në vende të tjera, jo vetëm në Shqipëri e në Kosovë, Maqedonia e Veriut tanimë e ka aprovuar në parim futjen e saj në të gjitha klasat ku fëmijët e popullit shqiptar të Maqedonisë së Veriut mësojnë gjuhën shqipe, po ashtu kemi filluar të diskutojmë me Mali e Zi, me Serbinë për gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës e më tutje. Kemi filluar të diskutojmë me qeverinë e Kosovës për planin e përhapjes së kësaj Abetareje në të gjithë diasporën”, shtoi më tej kryeministri.

Arsimi profesional deklaroi kryeministri Rama ka bërë hapa të rëndësishëm, por të pamjaftueshëm ashtu sikundër me universitetin kemi bërë hapa të rëndësishëm, por të pamjaftueshëm.

Porosia e kryeministrit ishte shtimi përpjekjeve për krijimin e kolegjeve profesionale është një objektiv themelor që duhet ta ndjekim dhe duhet ta plotësojmë.

Top Channel