Nga shkolla në punë/ Instituti i nxënësve që nuk dëgjojnë përgatit fëmijët për tregun e punës

11/09/2022 12:31

Instituti i nxënësve që nuk dëgjojnë ekziston prej 60 vjetësh.

Është institucion unik dhe kombëtar. Nëse më përpara një nxënës mbaronte 9-vjeçaren, ai kthehej pranë familjes, pa një profesion. Por duke nisur nga ky vit i ri shkollor, për herë të parë Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë, hap dyert e shkollës së mesme, duke i pajisur dhe përgatitur nxënësit e tij me aftësi që kërkohen në tregun e punës.

“Momentalisht ne kemi të regjistruar 18 nxënës. Këtu përfshihet numri I nxënësve që përfunduan këtë vit shkollor. Në 12 shtator ata ulen në bankat e shkollës së mesme. Do të jenë pjesë e shkollës së mesme edhe nxënësit që kanë mbaruar vitin e kaluar. Ne jemi të gatshëm dhe bëjmë thirrje përditë për regjistrime të reja, duke patur parasysh kriterin bazë që është mosha. Nxënësit e parë që janë regjistruar, pjesa më e madhe, 75% janë nga rrethet dhe 25% janë nga Tirana. Të gjithë ata që vijnë nga rrethet do të akomodohen nëpër konvikte, do të jenë me shpenzime zero, pasi gjithçka përballohet nga shteti“, thotë drejtoresha e Institutit të Nxënësve që nuk Dëgjojnë, Azbije Ramaj.

Është vërtetuar që njerëzit që nuk dëgjojnë, spikatin me aftësi në disa fusha të tjera, si parukeri, zdrukthtari dhe rrobaqepësi, lëndë të cilat do të zhvillohen edhe gjatë arsimit të mesëm 3-vjeçar.

Nxënësi që mbaron shkollën e mesme pranë këtij instituti del një Teknik Kompjuterësh ose Programues Kompjuterësh dhe në fund, ai pajiset më një dëftesë pjekurie dhe e ka të specifikuar profilin. Pra ne kemi nesër, një armatë të njerëzve që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin, që deri dje nuk e kanë patur këtë shans. Ata nesër do të konkurrojnë në tregun e punës, dhe janë të aftë si bashkëmoshatarët e tyre që mbarojnë shkollën simotër ‘Hermanin’, ‘Eelektriken’, pra ata janë të barabartë, mes këtyre kategorive”, shpjegon Ramaj.

Top Channel