“Komunist nuk lind njeriu, ai bëhet i tillë në jetë.”

Me këto fjalë e nis bisedën ish-pjesëmarrësi në Lëvizjen e Dhjetorit, sot pedagog i Psikologjisë, zoti Edmond Dragoti.

Në 32 vjet demokraci, të dy kampet politike, ngrenë kohë pas kohe tezën e dekomunistizimit, siç bënë edhe gjatë verës që iku, për t’ja lënë vendin një vjeshte intensive politike.

Edmond Dragoti: Procesi i dekomunistrizimit duhej bërë që me ndërrimin e sistemit, në vitet ’90, pra para 32 vjetëve. Këtu kam parasysh faktin që komunistët e kishin shumë të lehtë të konvertoheshin në demokratë. Dhe po ta vësh re që në fillimet e saj Partia Demokratike, në krye të degëve dhe në qendër kishte ish komunistët. Ata u përfshinë, ishin të parët. Tipa të tillë kanë natyrën që shërbejnë, përshtaten shumë shpejt me kërkesat e liderit, e drejtuesit. Prandaj dekomunistizimi nuk u realizua në Shqipëri, pikërisht për faktin, sepse liderëve iu duhej tipi komunist. Ky tip nuk e ka problem të jetë komunist apo demokrat. Ka rëndësi që ky grup ka pushtet dhe ofron pushtet.

Të dyja palët e përdorin tezën e dekomunistizimit, pasi askush nuk e lëshon pushtetin që ka marrë, dhe ata që kanë marrë pushtetin janë ose ish komunistë, ose kanë nevojë për mbështetjen e ish komunistëve.

Vendet ose shoqëritë me ideologji të theksuar komuniste, siç ishte Rusia, apo edhe neve, u përfshimë totalisht dhe shpirtërisht në procesin e atëhershëm. Kjo do të thotë, që nëse do të bënim dekomunistizimin, atëherë do të përmbysnim vetveten. Gjermani e cila është e vetmja, që e ka kryer deri në palcën e shoqërisë këtë proces, kishte kulturë perëndimore më të avancuar. Duhet të kesh kulturën e mjaftueshme demokratike, që të përjashtosh elementët komunistizues, siç është autoritarizmi, egoizmi ekstrem, natyra narcistike, që të shkelësh të tjerët me këmbë. Mirëpo kultura nuk ndryshon kaq shpejt. Kultura do 50 vjet të ndryshojë një sistem. Në jemi në mesin e tranzicionit.

Edhe nëse bëhet ligjërisht procesi i dekomunistizimit, ajo është shumë e vështirë të realizohet në praktikë.

Duke qenë që të gjitha palët, po përpiqen të bëjnë një gjë të tillë, do ta kenë të vështirë të gjejnë komunistët.

Top Channel