Shenjtërimi i Nënë Terezës/ Presidenti Begaj: Bija shqiptare është simbol i mohimit të privilegjit vetjak

05/09/2022 09:04

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj në gjashtë vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, është shprehur se ajo është dëshmi e gëzimit, që buron nga dashuria për jetën dhe për madhështinë e dinjitetit njerëzor.

Begaj u shpreh se bija shqiptare është simbol i mohimit të privilegjit vetjak dhe shërbimit të pakursyer ndaj të vuajturit, të uriturit, të pamundurit e të harruarit.

Reagimi i Begajt:

𝗦𝗵𝗲𝗻𝗷𝘁 𝗧𝗲𝗿𝗲𝘇𝗮 𝗲 𝗞𝗮𝗹𝗸𝘂𝘁𝗲̈𝘀, dëshmi e gëzimit, që buron nga dashuria për jetën dhe për madhështinë e dinjitetit njerëzor.
Bija shqiptare është simbol i mohimit të privilegjit vetjak dhe shërbimit të pakursyer ndaj të vuajturit, të uriturit, të pamundurit e të harruarit.
Në një botë, që rend drejt materiales, shembulli i saj na fton të shohim brenda vetes, brenda familjeve dhe shoqërive tona për të kultivuar dashurinë për tjetrin dhe vlerat më të mira shpirtërore të popullit tonë, të cilat Nënë Tereza i ka lartësuar si askush tjetër në botë.
E sotmja duhet të jetë një ditë reflektimi për secilin prej nesh për më shumë solidaritet për të afërmin, dashuri për njëri-tjetrin dhe shërbim për vendin!

Top Channel