Sullivan përfundon mandatin e ambasadorit amerikan në Rusi, largohet nga Moska

04/09/2022 20:51

Ambasada amerikane në Rusi, njoftoi largimin nga Moska të John Sullivan për shkak të përfundimit të mandatit të tij si ambasador.

Në njoftimin e publikuar në faqen e internetit thuhej se zoti Sullivan, i cili u emërua në këtë post në vitin 2019 nga ish-presidenti Trump, shërbeu për gati tre vjet.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit tha se “largimi i ambasadorit Sullivan ishte i planifikuar dhe pjesë e një rotacioni normal diplomatik”.

“Ai ka shërbyer me një mandat të plotë si ambasador i SHBA-ve në Rusi, duke menaxhuar një nga marrëdhëniet dypalëshe më kritike në botë gjatë një periudhe të paprecedentë“, foli në kushte anonimiteti zyrtari amerikan.

Në njoftimin e ambasadës thuhej gjithashtu se zoti Sullivan do të tërhiqet nga shërbimi publik, pas një karriere prej katër dekadash, gjatë së cilës ka punuar për pesë presidentë amerikanë. Ai ka mbajtur postin e zëvendëssekretar shteti si dhe pozicione të tjera të larta në Departamentin e Drejtësisë, Mbrojtjes dhe Tregtisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA