Punonjësit e institucioneve publike në Kosovë të cilët janë në grevë që nga 25 gushti, ende nuk e dijnë se kur do t’i marrin pagat.
Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informacion. Ndërsa, zyrtarë në Thesarin e Kosovës thonë se janë në pritje të konfirmimit të listave të pagave. Nysret Koca, zëvendësdrejtor i përgjithshëm për kontabilitet, raportim dhe monitorim në Thesarin e Kosovës, tha për REL se nuk i ka mbërritur ndonjë konfirmim të listave nga organizatat buxhetore për ekzekutimin e pagave. “Jemi në pritje”, u shpreh ai.
Thesari i Kosovës çdo muaj dërgon listat e pagave tek organizatat buxhetore për të konfirmuar ndonjë ndryshim eventual. “Ky është një proces i rregullt mujor dhe në fund të muajit finalizohet lista pasi të jetë konfirmuar nga organizata buxhetore përmes sistemit të pagave”, u shpreh Koca. Që nga fundi i muajit gusht, janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës kanë hyrë në grevë për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike nga rritja e çmimeve të konsumit.
Ata kërkojnë 100 euro në muaj deri në miratimin e Projektligjit për paga. Ekzekutivi në 31 gusht bëri vetëm një ekzekutim të pjesshëm të pagave për këtë muaj, duke i kaluar ato për punonjësit e Policisë së Kosovës, ata të sistemit të drejtësisë dhe të ministrive. Argumenti ministrit te financave, Hekuran Murati, ishte se deri në fund të gushtit është bërë kalimi i pjesshëm i pagave për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.
Top Channel