Kolektivi për Mendim dhe Veprim Femnist, si dhe organizatat tjera YIHR KS, CEL, QIKA, QIPS dhe QKSGj, kanë njoftuar se të hënën do të vazhdojnë protesta, e cila do të mbahet duke filluar nga ora 12:00 para ndërtesës së Qeverisë.
Këto organizata kanë njoftuar se kërkesat e tyre janë legalizimi i përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray), shkarkimi i zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin e përdhunimit të së miturës; krijimi i një njësiti të specializuar për dhunë seksuale në Polici; siguri, drejtësi dhe rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla.
Më poshtë gjeni tekstin e plotë të paralajmërimit të protestës:
Përdhunimi i vajzës 11 vjeçare nga 5 djem e burra dhe dështimi institucional nuk mund të tejkalohet me dy shkarkime, dorëheqje e lojë fasjësimesh mes institucionesh. Dhuna ndaj vajzave dhe grave është në nivele pandemike, andaj dhe luftimi i saj duhet të jetë urgjencë kombëtare.
Hulumtime të reja tregojnë që 11 vjeçarja ka qenë edhe më herët viktimë e përdhunimit dhe trafikimit. Për më tepër ajo ka qenë nën mbikëqyrjen e shtetit kur u përdhunua. Ajo u la nga shteti pa mbrojtje i cili u bë bashkëfajtor në përdhunimin e saj. E kjo jo si incident i izoluar por si sjellje e vazhdueshme e shtetit në raport me vajzat dhe gratë që përjetojnë dhunë me bazë gjinore në Kosovë. Shteti vazhdon ta ushqejë fenomenin e dhunës ndaj grave duke mos ndëshkuar mostrajtimin e duhur të rasteve të dhunës ndaj grave.
Neglizhenca e shtetit është duke ua rrezikuar dhe më tej vajzat dhe gratë në Kosovë, sidomos atyre të mitura. 85% të viktimave të dhunës seksuale në periudhën 2019-2021 kanë qenë të mitura sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës. Tutje, raporte kanë treguar se gjykatat vendore kanë dhënë dënime nën minimumin e lejuar me ligj në më shumë se gjysmën e rasteve të dhunës seksuale.
Para kësaj braktisje shtetërore dhe pasigurie, ne zgjidhje të vetme e kemi protestën. Të hënën ne mblidhemi dhe i përgjigjemi me revoltë mos adresimin e duhur të kërkesave tona të së mërkurës nga Qeveria. Ne do ulemi dhe do e bllokojmë hyrjen e Qeverisë deri sa përgjigjet qeveritare të na garantojnë siguri.
Kërkesat tona të hënën janë:
1. Legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray)
2. Shkarkimin e zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin e përdhunimit të së miturës;
3. Krijimi i një njësiti të specializuar për dhunë seksuale në Polici;
4. Siguri, drejtësi dhe rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe
5. Futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla.
Top Channel